Publikimi i listave të atyre që supozohen si VETERANË TË RREJSHËM, është turpi i radhës që kjo shoqëri e jona “po e han me bukë”!

E publikuar: 17/09/2018 12:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Resul Sinani

E gërditshme është mënyra se si u publikuan dhe si po bëhet luftë shtrigash, por mbi të gjitha është e frikshme se si pa asnjë pikë përgjegjësie morale, pa asnjë pikë keqardhje por përkundrazi me çfarë ekzaltimi po etiketohen edhe VETERANËT E MERITUAR, luftëtarët e vërtetë të cilëve kjo shoqëri duhet t’u mbetet përgjithmonë mirënjohëse.

Kjo definitivisht nuk është mënyra se si bëhet drejtësia.

Kjo definitivisht nuk është mënyra se si pastrohet lista e Veteranëve të MERITUAR prej Veteranëve të RREJSHËM.

Pas OFENDIMIT që iu është bërë Veteranëve të vërtetë përmes fryerjes së numrit të përgjithshëm të veteranëve dhe futjes në një listë me veteranë të rrejshëm, ky ofendim i radhës, ky etiketim publik, kjo njollosje publike, nuk është dashur në asnjë mënyrë t’u bëhej shumë luftëtarëve të lirisë.

Deklarimi i ish Prokurorit Elez Blakaj se LISTËS i janë shtuar edhe 2000 emra, (nga kush dhe pse?!!!) nga kushdo që e ka bërë, është akt i shëmtuar dhe qyqar që duhet dënuar dhe duhet të marrë përgjigje nga institucionet por edhe nga kjo shoqëri! Kushdo që e ka bërë, kushdo që në listën e veteranëve të rrejshëm ka futur me vetëdije qoftë edhe një VETARAN TË MERITUAR, ka bërë më keq se secili person që është deklaruar si veteran i rrejshëm! Kushdo dhe për çfarëdo qëllimi që e ka bërë një gjë të tillë, i ka fyer VETERANËT E VËRTETË, familjet e tyre, luftën e tyre dhe në përgjithësi luftën e drejtë të UÇK-së më shumë se secili veteran i rrejshëm!

Kjo marri e jona kolektive, kjo mënyrë e papërgjegjshme dhe joprofesionale e funksionimit të institucioneve shtetërore, kjo qasje e jona për t’u dhënë zgjidhje problemeve me të cilat është lodhur duke u përballur kjo shoqëri duhet të marrë fund për t’iu kthyer normalitetit.

Deri kur?!