‘Dramë’ në themelin e teatrit italian, gjendet qypi me monedha ari në vlerë të miliona eurove (Foto)

E publikuar: 10/09/2018 18:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Punonjësit e angazhuar në demolimin e një teatri të vjetër italian, kanë përjetuar një dramë të vërtetë, kur gjetën një qyp me monedha ari.

Në themelet e teatrit “Cressoni” që ndodhet në Como të Italisë, u zbulua ena e dheut që kishte brenda paratë që i përkasin shekullit të V-të, transmeton Telegrafi.

Zyrtarë të lartë të sigurisë, i kanë transportuar monedhat romake për në muze, ku kanë filluar ekzaminimet për të zbuluar kohën konkrete që i përkasin. Ende nuk dihet se si përfunduan në anë hapësirë, apo kush i kishte në pronësi.

“Kanë vlerën e shumë milionëve, por nuk janë për shitje. Është një prej gjetjeve më të mëdha, të kohës moderne”, ka thënë arkeologu Luca Rinaldi. Sipas tij, ekzaminimi do të jetë i shpejtë, sepse janë ruajtur në mënyrë të përkryer dhe nuk kanë asnjë dëmtim.

Ky teatër që ishte inauguruar më 1870, është kthyer më vonë në kinema, para se të mbyllet përfundimisht më 1994, ndërsa ishte duke u demoluar për t’i hapur rrugë ndërtimit të një rezidence luksoze. Autoritet i anuluan punimet dhe nisën hulumtime rreth zonës, në përpjekje të gjejnë ndonjë objekt tjetër të lashtë. /Telegrafi/