Osmani: Logjika e ndarjes në vija etnike e promovuar nga Thaçi e Vuçiqi mund të ndalet vetëm nga qytetarët

E publikuar: 09/09/2018 23:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka thënë se presidentit serb, Aleksandar Vuçiq përmes fjalimeve të tij paralajmëroi kohëra jo të mira për Ballkanin Perwndimor.

“Sot Vuçiqi në Kosovë e quajti Millosheviqin ‘lider të madh’, gjenocidin e Millosheviqit ‘luftë të ndershme’, dhe shprehi krenarinë e tij me Dobrica Qosiqin dhe ideologë të tjerë të politikave hegjemoniste serbe. Për më tepër, ai shprehu pretendime territoriale jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve të tjera në rajon”, ka shkruar Osmani në një postim në Facebook.

Ajo shton se, “fjalimi i tij sot paralajmëron kohëra jo të mira për Ballkanin Perëndimor; paralajmëron se Serbia vazhdon t’i preferojë jo stabilitetin e tragjeditë njerëzore. Të gjitha këto të paketuara në një fjalim që aty-këtu përmendte paqen e pajtimin”.

Osmani thekson se logjika luftënxitëse dhe logjika e ndarjes në vija etnike mund të ndalet vetëm nga qytetarët.

“BE reagoi pse nuk u lejua në Drenicë i preferuari e i përkëdheluri i tyre, ish-ministri i propagandës së Millosheviqit dhe sekretari i përgjithshëm i Sheshelit kur në Ballkan kryhej gjenocid. Këtij shqetësimi iu bashkua edhe miku i Aleksandrit, Hashimi. Por, siç u dëshmua sot në Drenicë, planet luftë-nxitëse e logjika e shekullit të 19-të e ndarjes në vija etnike e promovuar nga Vuçiq-Thaçi, mund të ndalet vetëm nga qytetarët”, ka thënë ajo.