Vuçiq: Më 1999 luftuam me nder por humbëm

E publikuar: 09/09/2018 13:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleksandar Vuçiq e ka quajtur lider të madh ish-shefin e tij, Sllobodan Millosheviq, i cili ka vdekur në burgun e Hagës, ku po gjykohej për krime të luftës në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe ato në Kosovë.

Gjatë një fjalimi në një tubim në Mitrovicën Veriore, presidenti serb tha se Millosheviqi ka qenë lider i madh, “por nuk ka arritur t’i përmbush qëllimet e tij”.

Gjatë këtij fjalimi, në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Aleksandar Vuçiq ka folur edhe për luftën e vitit 1999.

Në kohën kur forcat serbe po kryenin masakra, dhunime, dëbim të popullatës shqiptare të Kosovës e shkatërrim të pasurisë së tyre, Vuçiq ka qenë ministër i Informimit.

“Kemi luftuar me nder kundër NATO-s në vitin 1999, por kemi humbur. Kane qenë më të fuqishëm, më të pasur, prandaj kemi humbur”, theksoi tutje Vuçiq.

Për shkak të krimeve të kryera nga forcat serbe dhe për shkak se asnjëherë nuk kërkoi falje për viktimat e masakrat e kryera gjithandej Kosovës, Aleksandër Vuçiqit sot iu ndalua të shkonte në Banjë të Skenderajt.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i cili vjen nga familja që humbi rreth 50 anëtarë në sulmin e forcave serbe, tha se Vuçiq nuk mund të vijë në Drenicë pa kërkuar falje për viktimat dhe masakrat e kryera nga forcat serbe në vitet 1998/99.