Dështon seanca e Kuvendit, Kryesia mblidhet në orën 14

E publikuar: 06/09/2018 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka mbyllur seancën e jashtëzakonshme, të ftuar nga opozita, për të votuar rezolutën për ndalimin e negocimit të kufijve në dialog me Serbinë.

Ai ka thënë se është detyruar të mbyllë këtë seancë duke parë mugnesën e numrave nga opozita.

Veseli ka thirru mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit me fillim prej orës 14:00.

Veseli: Pa 58 deputetë nuk mbahet seanca e opozitës

10: 47 – Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se opozita duhet të ketë 58 deputetë të pranishëm në sallë për të filluar seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita.

“Nëse arrini t’i bëni 58 deputetë fillon seanca. Naiti [Hasani] dhe unë po presim prej PDK-së, Nisma vjen kur ju bëni 58 deputetë”, ka thënë Veseli që ka ftuar opozitën që të mos bojkotojë seancat.

“Është në interesin e vendit që të mos bojkotojmë njëri-tjetrin. E nxjerrim rezolutën, krijojmë platformën, po e krijojmë edhe grupin e unitetit”, ka thënë ai.

Në sallë aktualisht janë 56 deputetë dhe ka një pauzë prej pesë minutave.

Opozita mban prapë shpresat te Nisma

Partitë opozitare po shpresojnë që partia qeveritare, Nisma Socialdemokrate, t’ua mundësojë kuorumin për të votuar rezolutën që ndalon negocimin e kufijve në dialogun me Serbinë.

Këtë e ka thënë për KTV-në, Vjosa Osmani deputete e LDK-së që ka deklaruar se pret që Nisma të shkojë në seancën e sotme të jashtëzakonshme me shumicën e deputetëve të vetë për të mundësuar kuorumin.

Ajo ka thënë se opozita me shumicë dërmuese do të marrë pjesë në këtë seancë, por duke mos theksuar numra.

“Besoj se shumica dërmuese e opozitës do të marrë pjesë. Dje patëm deputetë me probleme shëndetësore, ndërsa për një tjetër deputete nuk e dimë. Dje arritëm në 60 deputetë e ishim madje edhe 61, por disa deputetë të Nismës u larguan. Shpresoj që Nisma edhe sot të reflektojë karshi këtyre zhvillimeve dhe të jetë prezente me shumicën e deputetëve për të pasur kuorum. Kujtojmë se AAK dhe Nisma kanë thënë se do ta përkrahin rezolutën dhe nuk lejojnë që presidenti të negociojë për territore”, ka thënë ajo.

Dje shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, deklaroi se pa i bërë opozita të gjithë numrat e vet, kjo parti nuk do t’ua bëjë numrat e mjaftueshëm për kuorum.

Osmani po ashtu shtoi se edhe nëse dështon rezoluta, do të shfrytëzohet një tjetër mundësi.

“Do të draftojmë deklaratë e ta dërgojmë te Mogherini për të shprehur vullnetin tonë në mënyra tjera e të shohin se Thaçi nuk e ka prapa shumicën shqiptare. Mund të flasë në emër të serbëve dhe emër të tij personal, por jo në emër të shqiptarëve”, ka shtuar ajo.

Aktualisht në sallë janë disa deputetë të LDK-së dhe të Vetëvendosjes.