Mediat serbe kanë raportuar gjatë ditës se Drejtorit të së ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, nuk i është lejuar hyrja në Kosovë.
Por Ministria e Punëve të Jashtme e ka demantuar një gjë të tillë.
“Bazuar në rregullat dhe procedurat në fuqi, Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, pas pranimit të kërkesës për vizitë në Kosovë nga ana e Marko Gjuriq e ka aprovuar kërkesën dhe e njëjta i është përcjellë edhe zotit Gjuriq dhe autoriteteve përkatëse”.
Sipas kësaj Ministrie, krejt ky veprim nga ana e Gjuriqit është një “përpjekje e dëshpëruar e tij për ta paraqitur Kosovën si palë jo bashkëpunuese”.
“Teatri i inskenuar nga ana e Marko Gjuriqit për gjoja refuzim të kërkesës për hyrje në Kosovë, është vetëm një përpjekje e dëshpëruar e tij për ta paraqitur Kosovën si palë jo bashkëpunuese”.
“Në të kaluarën, sikurse që do të ndodhë edhe më tutje, MPJ miraton ose refuzon kërkesa. Dhe secilit vendim i kemi qëndruar ballëhapur. Nuk kemi nevojë për dramaticitet të shtirur në këtë fazë kur po punojmë intenzivisht për evropianizimin e rajonit”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie, njofton Klan Kosova.
Marko Gjuriq e kishte konfirmuar vetë për Tanjugun serb se nuk i është lejuar hyrja në Kosovë, duke thënë se vizita e tij ishte e lajmëruar dhe sipas të gjitha rregullave.
“Ky është një vendim skandaloz nga Prishtina, në kundërshtim me të gjitha marrëveshjet dhe parimet elementare të lirisë së lëvizjes”, deklaroi ai.
Gjuriq kishte shtuar se menjëherë pas kthimit në Beograd dhe pas konsultimit me presidentin Aleksandar Vuçiq do ta informojë publikun për arsyet e këtij rasti dhe për të gjitha presionet dhe shantazhet tjera ndaj të cilëve sipas tij, pala serbe ishte ekspozuar sot dhe gjatë ditëve të fundit.


















