Prokuroria Themelore në Mitrovicë, të mërkurën, është tërhequr nga ndjekja penale ndaj komandantit në stacionin policor në veri të Mitrovicës, Bratislav Kragoviq, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Në seancën fillestare të së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, prokurori i rastit, Ismet Ujkani, ka thënë se veprimet e të akuzuarit Kragoviq, nuk përbëjnë vepër penale.
Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe ish-zëvendëskomandanti në stacionin policor në veri të Mitrovicës, Darko Gusniq, por ndaj tij, do të vazhdojë procedura gjyqësore.
Prokurori Ismet Ujkani, në seancën e së mërkurës, lidhur me të akuzuarin Bratislav Kragoviq, tha se me një vendim të 23 gushtit 2011, të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës, dhe sipas tij, veprimet e tij nuk përmbajnë elementet e veprës penale me të cilën e ngarkon aktakuza, e që supozohej se i ka kryer nga janari i vitit 2011 e deri në prill të vitit 2012.
Më këtë rast, prokurori Ujkani, ka deklruar se tërhiqet nga ndjekja penale për këtë të akuzuar.
Po ashtu, Ujkani tha se sipas aktakuzës, për veprën penale “shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit”, nga neni 339 i Kodit të vjetër Penal të Kosovës, të cilën Kragoviq akuzohej se në periudhën 2011-2012, e ka kryer në bashkëkryerje me të akuzuarin Darko Gusniq, e njëjta sipas tij, ka arritur parashkrimin absolut, duke cekur më pas se dënimi për këtë vepër parashihej deri në tre vjet.
Përkundër kësaj, prokurori Ujkani, u shpreh se qëndron prapa aktakuzës dhe ndjekjes penale për të akuzuarin tjetër në këtë rast, Darko Gusniq, duke e ngarkuar me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i Kodit Penal i Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, gjykatësi Radosllav Markoviq, kërkoi nga prokurori Ujkani të bëj precizimin e aktakuzës dhe ta dorëzojë në Gjykatë, pasi që e njëjta tani, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” e ngarkon vetëm të akuzuarin Darko Gusniq.
Pas kësaj, kjo seancë e shqyrtimit fillestar është shtyrë në afat të pacaktuar më qëllim të precizimit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë, pasi që prokurori i rastit Ismet Ujkani u tërhiq nga ndjekja penale për të akuzuarin Bratislav Kragoviq, ndërsa u shpreh se qëndron pranë ndjekjes penale për të akuzuarin e dytë, Darko Gusniq.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Bratislav Kragoviq dhe Darko Gusniq, po akuzohen se në periudhën kohore, nga data 01 janar 2011 deri në muajin prill të vitit 2012, si persona zyrtarë në stacionin policor në veri të Mitrovicës, kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Bratislav Kragoviq si komandant dhe Darko Gusniq si zëvendëskomandant, nuk i kanë verifikuar shpenzimet e derivateve për automjete zyrtare të policisë, të mbushura me derivate nga zyrtari i stafit civil, Dragan Kompiroviq, raporton “Betimi per drejtesi”.
Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se të akuzuarit Bratislav Kragoviq dhe Darko Gusniq, kanë nënshkruar memorandumet për shpenzimet e derivateve për automjetet zyrtare të policisë me targa, 092-KS-795, 092-KS-876, 092-KS-893, 092-KS-872, 092-KS-835, 093-KS-046, 093-KS-541, 093-KS-653, 093-KS-536, Police 070-04, Police 069-04, Police 071-04, Police 078-04, Police 079-04, Police 022-04, Police 072-04, Police 137-02, me ç’rast i është shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 9.146.01 euro.
Me këtë, akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

















