Haradinaj haptas deshi të ndërhynte në drejtësi në rastin e “Veteranëve”

E publikuar: 23/08/2018 19:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në një përpjekje të hapur për ndërhyrje në drejtësi, kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur që personalisht të kyçet në hetimet që prokurori Elez Blakaj po i bënte për listën e veteranëve.

Blakaj, më 25 shtator të vitit të kaluar, i kishte dërguar kryeministrit Haradinaj një letër me 6 pika, ku i kërkonte bashkëpunim për hetimin në rastin e listave të veteranëve, raporton KTV.

Kërkesës i ishte përgjigjur menjëherë të nesërmen kryeministri, që nënkuptonte qasje në arkivat e zyrës së veteranëve të luftës.

Pika dy e përgjigjes thoshte se “Në asnjë moment, asnjë individ, person apo zyrtar i Zyrës së Kryeministrit nuk është i autorizuar dhe nuk do të përfshihet në asnjë cilësi në procesin e punës së hetuesve”.

Por një gjë e tillë nuk vlente për kryeministrin, që një pikë më poshtë i kishte kërkuar raport me rezultatet pas 30 ditëve.

“Hetimet do të zgjasin 30 ditë, e në fund të hetimeve, Prokurori ia dorëzon kryeministrit raportin e hetimeve dhe konstatimet e tij”.

Pasi korrespodenca rrodhi në media, kryeministri vet i publikoi të njëjtat, bashkë me një letër, të cilën gjatë ditës ua ka nisur përfaqësive diplomatike në vend, në të cilën, sipas Haradinajt, tregonte se i ishte ofruar mbështetje e parezervë Blakajt.

Por në letrën e tij për përfaqësitë diplomatike, pika e tretë e përgjigjes së Haradinajt duket e modifikuar, duke ia shtuar pjesën se çështja e raportimit ishte bërë në pajtim me prokurorin Blakaj.

“Në pajtim të plotë me ish-prokurorin, hetimi në Zyrën për Çështjen e Kategorive të UÇK-së do të zgjasë për 30 ditë dhe prokurori do të dorëzojë një raport me gjetjet në Zyrën e Kryeministrit.”

Haradinaj, sikur edhe në ditët e kaluara, ka vazhduar me sulme ndaj ish-prokurorit.

Pas kësaj, KTV-ja i ka dërguar pyetje Prokurorisë Speciale lidhur me kërkesën e kryeministrit Haradinaj për Blakajn dhe nëse një gjë e tillë kishte ndodhur, por nuk ka marrë përgjigje.