Nga Imer Mushkolaj
Është shumë tragjike, për të qenë komike sa kush paguhet nga paratë tona dhe mban post zëvendësministri. Çfarë mund të presësh nga të tillë që, në raportet e tyre të shkruara për gjynah, punë e llogaritin edhe dërgimin dhe pranimin e emailave, pjesëmarjen në mbledhjet e kabinetit qeveritar ose në festën e organizuar për Vitin të Ri? Natyrisht, jo të gjithë janë njësoj. Por, fatkeqësisht, injoranca mbizotëron.
Përderisa Hashim Thaçi gjatë gjithë këtyre javëve të fundit po vazhdon ekzibicionet politike dhe talljen me qytetarët, as Qeveria nuk po ia lëshon rrugën. Seriali tragjikomik me zëvendësministrat vazhdon. Raportet e shumë prej tyre, për punën tremuajshe, janë për gjynah. Shumë nga ata nuk dinë as të shkruajnë shqip si duhet. Çfarë mund të presësh nga të tillë, të cilët punë e llogaritin edhe dërgimin dhe pranimin e emailave, ose pjesëmarjen në mbledhjet e kabinetit të qeverisë? Çfarë mund të presësh nga të tillë, që punë e llogaritin edhe pjesëmarrjen në emisione televizive, madje edhe deklaratat e dhëna nëpërmjet telefonit për emisione në radio? Çfarë mund të presësh nga të tillë që punë e llogaritin edhe pjesëmarrjen në festën e organizuar me rastin e Vitit të Ri?
Natyrisht, jo të gjithë janë njësoj. Në mesin e armatës së zëvendësministrave ka njerëz kredibilë, të cilët e dinë pse janë në atë pozitë dhe përpiqen të kryejnë punë si duhet. Por, të tillët humbasin në detin pafund të injorancës e budallallëkut që ofrojnë, madje me shkrim, të dhjetëra e dhjetëra zëvendësministrave që kanë zënë pozita jo sipas meritokracisë, por sipas partiokracisë. Janë aty jo se kanë punë për të bërë, por sepse partia i ka deleguar për t’ua gjetur një vend të mirë pune si shpërblim për dëgjueshmëri e militantizëm. Janë aty për të shpenzuar buxhetin tonë kot, me shpenzime fillestare prej 1150 eurosh, sa e marrin pagën, pa llogaritur këtu shpenzime tjera, si makina e shoferë, mëditje e pagesa telefonash, drekash e darkash, vizitash brenda e jashtë shtetit. Shumë tragjike, për të qenë komike. Shumë e dhimbshme, për të të ardhur të qeshësh.
* * *
Numri i madh i zëvendësnministrave, shumica kot, shpërfaq mentalitetin qeverisës të kabinetit të uhdëhequr nga Ramush Haradinaj. Rehato sa më shumë njerëz në poste, emëro ministra e zëvendës të tyre, emëro koordinatorë, emëro këshilltarë e çka jo tjetër – sepse, siç thuhej, do të ishte qeveri e punëve të mëdha. Por, po del të jetë qeveri jo e punëve, por e shpenzimeve të mëdha.
Është mëkat sa kush në qeveri merr rroga të majme nga paratë tona. Mjafton të lexohen raportet e zëvendësministrave dhe të shihet gjithë padituria dhe paaftësia e shumë prej tyre. Njerëz që nuk dinë të shkruajnë shqip as në nivelin e një nxënësi të shkollës fillore, përpiqen të tregojnë se si i kanë kaluar tre muaj ditë në post. Ka nga ta që punë e llogaritin edhe pjesëmarrjen në mbledhjet e qeverisë, madje edhe takimet me shefat e tyre ministra. Të vjen gërdi teksa lexon raportet e atyre që nuk e dinë çfarë pune bëjnë e duhet të bëjnë. E vetmja gjë që dinë është se janë në ato poste për të përfituar financiarisht dhe të tjera privilegje. Kaq.
Të vjen gërdi teksa lexon në raporte se disa nga ta ende nuk po arrijnë të vendosin komunikim me ministrat e tyre. Si të punojnë dhe çfarë të punojnë, kur nuk flasin me shefat e tyre?/express/