Natë magjike për Ibrahimovicin, shënon het-trik për 24 minuta dhe dhuron një asistim në fitoren spektakolare të LA Galaxy

E publikuar: 30/07/2018 08:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zlatan Ibrahimovic ka vazhduar shkëlqimin në futbollin amerikan.

Sulmuesi suedez ka qenë vendimtar në fitoren e skuadrës së tij Los Angeles Galaxy në përballje me Orlando Cityn 4-3.

Fillimisht Ibrahimovic u përkujdes në pjesën e parë për të asistuar tek Dos Santos që barazoi shifrat në 1-1, por që Orlando shënoi përsëri për të shkuar në pushim me 1-2.

E në pjesën e dytë filloi shfaqja nga Mbreti Zlatan, i cili për 24 minuta arriti të shënonte tre gola në portën e Orlandos.

Fillimisht në minutë e 47-të barazoi rezultatin në 2-2 pasi shënoi me kokë pas asistimit nga Dos Santos.

Në minutën e 67-të, Ola Kamara i dhuroi një top të mrekullueshëm Ibras i cili përsëri shënoi me kokë dhe përsëri barazoi rezultatin kësaj radhe në 3-3.

Suedezi e kompletoi het-trikun katër minuta më vonë, kur me një goditje tejet të fuqishme shënoi në portën e Orlandos.

Ky ishte het-triku i parë i Ibrahimovicit në kampionatin amerikan që pas transferimit nga Manchester United.

Me tre golat e shënuar, Ibrahimovic ka arritur në koutën e 15 golave në MLS në vetëm 17 ndeshje të zhvilluara.

Pas kësaj fitore LA Galaxy është ngjitur në pozitën e tretë në tabelë me 35 pikë të grumbulluara, një më pak se Los Angeles dhe shtatë më pak se lideri FC Dallas. /Telegrafi/