Pamjet drithëruese që mund t’i shihni më poshtë, tregojnë atë që dikur është njohur si “kopshti njerëzor”, ku vizitorët shkonin t’i shikonin skllavët e marrë prej kolonive në Tunizi, Marok apo Sudan, që mbaheshin të mbyllur dhe në dispozicion të shikuesve, në periferi të Parisit.
‘Le Jardin d’Agronomie Tropicale’ – apo Oborri i Agrikulturës Tropikale – ka nisur të kompletohet nga viti 1899 si laborator për të testuar se si kultivohen bimët dhe ushqimet nga Perandoria Frënge si kafja, vanilja dhe bananet, transmeton Telegrafi.
Ky oborr gjigant që ndodhej jashtë kryeqytetit të Francës, kishte shumë skllavë, që kujdeseshin për të mbjellat tropikale, kafshët dhe të mirat që vinin nga skajet e ndryshme të perandorisë.
Nga maji deri në tetorin e vitit 1907, hapësira ishte në dispozicion të vizitorëve, që shkonin t’i shikonin si jetonin këta njerëz në fshatra të improvizuara, sikur të ishte ndonjë kabinet laboratori.
Mbi dy milionë njerëz kishin shkuar që të shohin nga afër, jetesën e këtyre banorëve, që thuhej se ishte e njëjtë me atë që bënin nëpër kolonitë frënge.
Banorët nga territoret e ndryshme si Madagaskari, Sudani, India, Maroku, Kongo dhe Tunizia, ishin transportuar prej shtëpive të tyre në Francë, të veshur në kostume tradicionale dhe qëndronin nëpër komunitete të përkohshme.
Disa prej tyre, ishin të angazhuar që të kryenin punime të ndryshme vetëm për vizitorë, apo edhe të përgatisnin ushqime për t’i shërbyer.
Pas vitit 1907, skllavët janë kthyer në shtëpitë e tyre dhe kopshti është braktisur, ndërsa më nuk janë organizuar ‘ekspozita’ të tilla, shkaku i tensioneve para Luftës së Parë Botërore.
Hapësira është hapur gjatë vitit 2006 dhe tani mund të vizitohet nga të interesuarit, të cilët mund t’i shohin pavijonet, monumentet dhe ato që duken si fshatra të improvizuara. /Telegrafi/