A duhet trajtuar me prioritet edukimi në teknologji?

E publikuar: 11/07/2018 20:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

A duhet trajtuar me prioritet edukimi teknologjik? Kjo ishte tema e emisionit NIN të datës 10 Korrik në Klan Kosova ku ishin të ftuar Ardian Alaj koordinator i ICT Awards, Hana Qerimi nga Shkolla Digjitale, Libuna Mehmeti fituese e disa projekteve shkencore dhe teknologjike dhe Egzon Gashi menaxher i projekteve të STIKK.

Në fokus të emisionit ishte nxjerrja në pah e rëndësisë që kanë studimet në fushën e teknologjisë si profesioni i të ardhmes krahas studimeve në fusha të ndryshme të drejtësisë, ekonomisë etj.

Kompanitë në Kosovë po hasin vështirësi me burimet njerëzore dhe zgjerimin e kapaciteteve në fushën e teknologjisë.

“Edhe pse papunësia shihet si një prej problemeve kryesore të Kosovës, sot në vendin më të ri Evropian mbi 2,000 vetë mund të punësohen vetëm në fushat e programimit,” tha z. Gashi.

Sa e lehtë të jesh femër me profesion në fushën e IT-së? Kosova është një prej vendeve me përdorimin më të madh të internetit, po për çfarë përdoret? Sa i kërkuar është profesioni i programuesve? A mungon një strategji kombëtare për orientimin e punëkërkuesve drejt fushave të teknologjisë ku ka potencial?

Këto ishin disa prej pyetjeve që shtroi emisioni i kësaj jave ku nuk munguan edhe përgjigjet.

“Sot është profesioni më i kërkuar jo vetëm në Kosovë por në botë,” tha Egzon Gashi për progamuesit. Ai tha se nga dita e sotme 2,000 programues mund të punësohen menjëherë për shkak të mungesës së lartë të burimeve njerëzore në këtë drejtim.

Ardian Alaj u shpreh se problemi kryesor i kompanive që operojnë në këtë fushë në Kosovë është që nuk ka burime njerëzore të mjaftueshme dhe ai bën përgjegjës hezitimin e studentëve për tu orientuar në këto drejtime.

“Kemi mungesë të një strategjie kombëtare për orientimin e këtyre fushave dhe profileve,” tha Ai.

“Ekziston një numër i vogël studentësh që ndjekin studime në fushat e shkencave kompjuterike në universitete të ndryshme, por kemi numër të madh në fakultetet si ekonomiku apo juridiku të cilët nuk të garantojnë një punë në të ardhmen,” tha z. Alaj.

Gashi beson se kurrikula me të cilën zhvillohen studimet në Kosovë nga universitetet private dhe publike nuk është e përgatitur për të garantuar një vend pune në Kosovë.

“Pa dashur ti nënvlerësojmë profesionet e tjera në fushat e juridikut apo ekonomikut, unë mendoj se ne duhet ta bëjmë teknologjinë pjesë të gjithësecilit profesion,” tha themeluesja e Shkollës Digjitale Hana Qerimi.

Ajo mendon se çdo industri dhe çdo profesion sot është bashkuar me teknologjinë dhe teknologjia është bërë pjesë e jetës sonë të përditshme.

Çfarë sfidash qëndrojnë përpara për Kosovën? Edhe pse lider në përdorimin e internetit dhe teknologjisë në rajon ajo çfarë Kosova ka nevojë është një strukturë e cila vën në shfrytëzim këto resurse që ekzistojnë.

Lidhur me edukimin teknologjik në veçanti, z. Alaj tha se është e nevojshme që lënda e teknologjisë të jetë pjesë e kurrikulave mësimore që nga klasat e para.

Ai tha se Kosova është një vend ku 90% e eksporteve janë shërbime nga fushat e teknologjisë.

Megjithatë kjo përbën një sfidë më vete sepse nuk ka mësues fushave specifike të teknologjisë si programimi.

Me mungesën e burimeve njerëzore, bie edhe forca për të tërhequr investime në vend ku papunësia është e lartë por edhe fuqi punëtore nuk ka thotë Hana Qerimi.

Largimi i profesionistëve të këtyre fushave nga Kosova ishte një tjetër sfidë më vete e trajtuar.

Me një popullsi të re, mënyra më e mirë për ta shfrytëzuar është teknologjia, andaj kemi më shumë nevojë se kurrë më parë për një strategji kombëtare e cila i jep prioritet profesioneve në këto fusha.

Politikat shtetërore duhet të synojnë orientimin e fuqisë punëtore aty ku garantohet tregu i punës. /PCWorld Albanian