Politikanët e Kosovës, të gatshëm të shlyejnë gjobat për “shqiponjat”

E publikuar: 26/06/2018 03:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

FIFA gjatë ditës së sotme njoftoi se ka vendosur t’i gjobisë lojtarët e kombëtares së Zvicrës për festimet e tyre pas shënimit të golave në ndeshjen ndaj Serbisë të zhvilluar të premten e kaluar.

Edhe pse ankesa e Federatës Serbe të Futbollit për festën e Xherdan Shaqirit, Granit Xhakës e Stephan Lichtsteinerit ishte më shumë e fokusuar në pikën ku ata mund të dënoheshin me nga dy ndeshje mos-lojë, FIFA nuk e pranoi këtë ankesë, por i gjobiti vetëm me para, me nga 10 mijë franga gjermane Xhakën e Shaqirin, dhe me 5 mijë Lichtsteinerin.

Pas këtij lajmi, shqiptarët u organizuan për të mbledhur fonde që t’ua paguajnë gjobat treshes së Zvicrës.

Deri më tani, në platformën “Gofundme” janë mbledhur mbi 2000 dollarë, dhe, sipas iniciatorit të kësaj nisme, nëse lojtarët nuk i pranojnë këto para, atëherë ato do të shkojnë për bamirësi.

Por, për dallim nga kjo iniciativë, politikanët e Kosovës kanë dalë të jenë edhe më zemërgjerë.

Deputeti i AAK-së, Gani Dreshaj, i cili në Agjencinë Anti-Korrupsion ka deklaruar pasuri shumë të madhe, multi-milionëshe, është shprehur i gatshëm që vetë t’ua paguajë gjobat treshes së Zvicrës.

“Dënimi për Xhakën e Shaqirin nga FIFA është i pa peshë. Më dëshirën më të madhe do të doja që unë të paguaja këtë dënim, por e di se sukseset e tyre në futboll kanë bërë që edhe fuqia e tyre financiare të jetë stabile. Pra, sa herë që ata bëjnë shqiponjën, unë iu them se marr përgjegjësinë e gjobave nga FIFA. Jam i bindur se golat dhe sukseset e shqiptarëve me Zvicrën në Botëror nuk kanë ndalur. Presim suksese të mëdha në ndeshjet e radhës”, shkroi Dreshaj në Facebook, raporton Koha.net.

Pas tij, i gatshëm të ndihmojë në formë të ngjashme doli edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili ka ofruar pagën e tij.

“Nuk paguhen me para emocionet që na i sollën Granit Xhaka e Xherdan Shaqiri, kur festuan me shqiponjë, pas golave të tyre në ndeshjen Zvicër – Serbi. Ata u dënuan vetëm sepse nuk harruan rrënjët e tyre, nuk harruan nga vijnë. Jo se ata nuk i kanë mundësitë financiare për ta paguar një dënim të tillë, por ndjenja e krenarisë që na dhanë me golat e tyre, më bën të ndjehem i obliguar që një pagë timen ta ndajë për pagesën e kësaj gjobe. Vazhdoni, djema e na bëni krenarë”, shkroi Hasani në Facebook.

Ndërkaq, Ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, në platformën “GoFundMe”, ka dhuruar 100 dollarë për këtë kauzë.