A ka vlerë të bëhesh qytetar nderi?

E publikuar: 20/06/2018 18:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nga Mustafa Nano

Le të bëjmë pak histori. Më 16 shtator 1997, në foltoren e Kuvendit të Shqipërisë, ndodhi një përplasje mes Azem Hajdarit e Gafur Mazrekut. Sa prova force janë bërë në atë foltore, aq të mira qofshin! Dhe kjo mes Mazrekut e Hajdarit shkoi deri në ekstrem. Fillimisht ishte një kapje me duar. Çdo kapje me duar mes deputetësh e bën me turp një parlament. Por jo parlamentin shqiptar. Aq më pak Hajdarin e Mazrekun. Përkundrazi, ajo ndeshje fizike u kishte hije këtyre të fundit, të cilët veç te dhuna e kishin mendjen. Atë copë herë ata u vunë në një garë me sho-shoqin për të pushtuar foltoren. Asnjëri prej tyre nuk donte ta lëshonte. Braktisja e foltores do të ishte për secilin prej tyre baras me një turpërim publik. Dhe prandaj të dy ngulnin këmbë për të mos i hapur rrugë tjetrit. Por në fund, Mazreku ndjeu se doli i humbur nga ajo histori. I zhburrëruar. Ndoshta sepse Hajdari e fitoi ballafaqimin fizik. Ndoshta sepse Hajdari mund t’i ketë thënë ndonjë fjalë të rëndë në atë rrethanë. Mazreku duhet ta ketë vuajtur shumë atë situatë. Dhe për ta “barazuar rezultatin”, pak më vonë, në të njëjtin vend, d.m.th. në Parlament, Mazreku nxori armën dhe shtiu. Mbi Hajdarin ranë tre plumba. Pas kësaj, Mazreku dënohet me 11 vjet burg. Bëri pesë vjet, dhe e nxorën nga burgu me anë të një amnistie. Pas burgut nuk jetoi gjatë. As Azemi nuk jetoi gjatë pas atij atentati.

Por as njëri, as tjetri nuk janë harruar. Azemi po se po. Por edhe Mazrekun nuk e harrojnë. Ja, këto ditë, kryetari i Bashkisë së Hasit, Adem Lala, përfaqësues i Partisë Socialiste, i është drejtuar Këshillit Bashkiak me kërkesën për ta shpallur Gafur Mazrekun “Qytetar Nderi”. Motivacioni është bajagi interesant: “Gafur Mazreku ka qenë një personalitet intelektual i shquar për kontributin e pashoq në pushtetin vendor”. Ok, kontributin ia kanë lokalizuar, por vlerat ia kanë bërë universale. Sepse e kanë konsideruar një intelektual të shquar.

Tani, unë nuk dua të më marrin për një njeri që ka qejf t’u japë goditje të shkretëve. E kam bërë këtë më se një herë, por nuk e kam bërë, ngaqë kam qejf t’i godas njerëzit pas vdekjes. Ndonjëri mund ta ketë marrë kështu, por nuk është hiç kështu. Nuk ka se si të jetë kështu. Pasi unë nuk qortoj personat. Qortoj personazhet. Qortoj çfarë ata kanë përfaqësuar. Dhe çfarë ata kanë përfaqësuar nuk është një problem i familjeve të tyre, i qytetit të tyre, i partisë së tyre. Është një problem i të gjithëve. Siç është problem i të gjithëve edhe qëndrimi i publikut apo i institucioneve, ndaj tyre.

Le të rrimë te figura e Gafur Mazrekut, të cilin po tentojnë ta shpallin qytetar nderi. Ky është një gjest absurd. Nuk legjitimohet me asnjë logjikë. Mazreku mbahet mend veç për një gjë: ka shtënë me armë në mes të Parlamentit. Donte të vinte drejtësi (drejtësi, sipas mendjes së tij) me anë të vetëgjyqësisë. Dhe ky është një zakon i egër i yni. Përsëris: Të vësh drejtësi me vetëgjyqësi është një zakon i egër i yni. As që duhet të na shkojë në mendje ta bëjmë këtë gjë. Dhe as që duhet të na shkojë në mendje t’i nderojmë ata që e kanë bërë. Ndryshe, gënjejmë veten kur themi se duhet të shkojmë në Europë. Me gjeste të tilla nuk shkojmë kurrë në Europë. Thjesht mbetemi aty ku jemi, d.m.th. në shekujt e shkuar të historisë sonë.

Një sugjerim për deputetët, të mazhorancës e të opozitës, të cilët kanë reaguar njësoj kundër nismës së kryebashkiakut të Hasit. Hiquani organeve të administratës lokale të drejtën për të shpallur qytetarë nderi! Dhe shfuqizojini të gjithë titujt e nderimet që janë bërë deri më sot prej këshillave komunale! Janë tituj që kryesisht janë shpërndarë mbi bazën e kritereve partiake. Janë tituj që u janë dhënë klientelave politike. Janë tituj që janë shpërndarë si qoka apo për një karshillëk. Për të gjitha këto arsye, janë tituj që as ia vlen të t’i japin. Janë tituj krejt pa vlerë.