Pensionistët thonë se Ligji për Skemën Pensionale duhet të pësojë ndryshime pasi i njëjti bie ndesh me Ligjin për të Drejtat e Njeriut.
Lebibe Prishtina është pensioniste që ka punuar në vitet e 90-ta në shëndetësi.
Ajo dhe ish-kolegët e saj po kundërshtojnë votimin e Ligjit që njeh statusin e punëtorëve të arsimit të viteve 1990-99.
Sipas tyre, veçimi i vetëm një kategorie dhe mospërfshirja e profesioneve tjera që u larguan me dhunë nga puna është padrejtësi e madhe.
Vendimi i Kuvendit po kundërshtohet edhe nga Sindikata e Pensionistëve, raporton KTV.
Përveç kësaj, pensionistët thonë se Ligji për Skemën Pensionale duhet të pësojë ndryshime pasi i njëjti bie ndesh me Ligjin për të Drejtat e Njeriut.
Ata konsiderojnë se është shkelje e të drejtave të njeriut që pensionistët duhet ta plotësojnë kushtin prej 15 vjetësh përvojë pune për ta marrë pensionin e plotë.
Sindikalistët pensionistë kërcënojnë me protesta të vazhdueshme nëse ky ligj nuk ndryshohet.
Pensionistët nuk e përjashtojnë mundësinë që të bëjnë padi kundër Qeverisë dhe Kuvendit për këtë çështje.
Muajin e kaluar, pas presionit dhe kërcënimit të mësimdhënësve me grevë, Qeveria e dërgoi në Kuvend projektligjin për njohjen e statusit të tyre, i cili u votua nga deputetët.
Fatura për këtë, shtetit do t’i kushtojë rreth 17 milionë euro për vitet 2018-2020.
















