Kuvendi Komunal i Ferizajt ka marrë vendim që pagesat për lejet ndërtimore të kategorisë së dytë të bëhen përmes kësteve.
Ky vendim po konsiderohet i jashtëligjshëm nga INPO, raporton KTV.
Valentina Abazi, nga kjo organizatë, ka thënë që komuna e Ferizajt me këtë vendim ka diskriminuar qytetarët e saj, të cilët aplikojnë për leje ndërtimi të kategorisë së I-rë.
Mirëpo, sipas kryetarit të kësaj komune, ky vendim ua ka lehtësuar punën investitorëve në këtë qytet.
Sipas Agim Aliut, ligjshmërinë e këtij vendimi e vlerëson Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.
Rozafa Ukimeraj, sekretare në MAPL, ka thënë se vendimin e Kuvendit Komunal për pagesën e lejeve ndërtimore me katër këste, e kanë dërguar në Ministrinë e Financave për vlerësim.
Ajo ka shtuar se Ministria e Financave ende nuk ka kthyer ndonjë përgjigje se a lejohet apo jo.
Ndryshe, kjo praktikë është zbatuar edhe nga pushteti i kaluar në Ferizaj. Auditori, në raportin e vitit 2017, ka gjetur se, së paku në pesë raste, komuna ka lëshuar leje ndërtimi të kategorisë II, pa u kryer të gjitha pagesat.


















