Buxheti i Mitrovicës së Veriut për vitin 2019, 6 milionë euro

E publikuar: 12/06/2018 11:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, ka thënë se buxheti është zvogëluar për 10 mijë euro në krahasim me vitin 2018 për arsimin dhe shëndetësinë, por ka siguruar se pagat e punëtorëve të arsimit dhe të shëndetësisë nuk do të rrezikohen, pasi që ato do të paguhen nga kategoria e investimeve kapitale, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Propozimi i parë i buxhetit për Komunën e Mitrovicës së Veriut për vitin 2019 është 6.042.381 euro.

Në krahasim me vitin 2018, buxheti i Komunës Veriore të Mitrovicës është zvogëluar për 10 mijë euro.

Është zvogëluar edhe projekti i buxhetit për tre vjetët e ardhshëm, shkruan më tutje “Zëri”.

Adriana Hoxhiq, shefe e Administratës Komunale në Komunën Veriore të Mitrovicës, ka njoftuar këshilltarët komunalë të Mitrovicës së Veriut se zvogëlimi i buxhetit ka të bëjë me fushën e shëndetësisë dhe të arsimit, në kategorinë e pagave dhe të mëditjeve, gjë që bie në pikëpyetje mundësinë e pagesës së pagave dhe të mëditjeve për ata që kanë nënshkruar kontratat e punës në arsim dhe në shëndetësi.

“Megjithatë pagat nuk do të rrezikohen, sepse ato do të paguhen nga kategoria e investimeve kapitale. Në vitin 2019 do të kemi shumë më pak mjete kur bëhet fjalë për investimet kapitale. Me analizat tona, kur bëhet fjalë për investimet kapitale, për arsim na mungojnë 34 mijë euro, ndërsa për shëndetësinë sekondare 500 mijë euro, gjë që është një diferencë e madhe, sepse për këtë kategori kemi pasur në vitin 2018 gati 900 mijë euro”, ka sqaruar Hoxhiq, e cila ka shtuar se shkak për zvogëlimin e buxhetit për arsim, sipas Ministrisë së Financave të Republikës së Kosovës, është zvogëlimi i numrit të nxënësve në shkolla e me këtë edhe i numrit të punëtorëve.