Nëse mendoni se në momentin që e heqin mantelin e bardhë gjëja e fundit për çka mendojnë është mjekësia, atëherë e keni shumë gabim.
Kështu nuk ka ndodhur të paktën me një kirurg amerikan, i cili derisa po shikonte televizorin kishte vërejtur diçka të pazakontë te një grua që u shfaq në ekran, transmeton Telegrafi.
Erich Voigt M.D., otorinolaringolog (mjek i veshëve, hundës dhe fytit) që punon në spitalin e Nee Yorkut, si zakonisht pas përfundimit të orarit të punës çlodhej në shtëpi duke shikuar emisionin e tij të preferuar “Beachfront Bargain Hunt” në HGTV, kur vërejti një masë yndyrore në fytin e një gruaje.
“Si kirurg i kokës dhe fytit, jam i trajnuar të vërej gjëra të tilla”, ka deklaruar ai për ABC News.
Voigt pranoi se menjëherë e kishte kuptuar se kjo masë yndyrore mund të jetë diçka serioze, dhe se kjo grua ka nevojë të kontrollohet te mjeku. Megjithatë, ekzistonte një problem: nuk e dinte se si mund të vë kontakte me të, pasi që në emisionin që po e shikonte nuk e përmendën emrin e saj.
Kështu, kërkoi ndihmën në rrjetet sociale: “Jam duke shikuar një emision në televizor dhe vërejta se kjo grua ka një masë yndyrore që ngjan me gjëndrën tiroide. Ajo duhet patjetër të bëjë një sonogram dhe biopsinë”, ka shkruar ai në Facebook.
Por, postimi i tij u shpërnda në masë të madhe dhe disi ia arriti të vë kontakte me Nicole McGuiness, 32-vjeçe, e cila ishte shfaqur në emisionin e tij të preferuar.
Voigt i kishte thënë Nicole që jeton në Havelock në Karolinën e Veriut, atë që i kishte thënë miqve në Facebook: se duhet ta bëjë një sonogram dhe biopsinë. Edhe pse ajo i kishte mbijetuar kancerit në tru, mjekët që e kishin shëruar nuk e kishin vërejtur masën yndyrore në fyt. Dhe sapo u konsultua me një specialist, u diagnostifikua me kancer tiroid.
“Ajo është kontrolluar te kirurgu dhe ka marrë trajtimin e duhur, shpresoj se do të shërohet”, ka shkruar më pas Voigt në Facebook.
“Është mrekulli se si ka arritur të më shoh në televizor. Nuk mund t’ua shpjegoj se sa shumë mirënjohëse jam”, ka deklaruar Nicole.
Dyshja kanë shkëmbyer disa herë e-mail, dhe më pas janë takuar sy me sy në emisionin e mëngjesit “Good Morning America”. Raportohet se diagnostifikimi i hershëm i ka ndihmuar asaj që ta fitojë edhe një betejë, por kësaj radhe fal vigjilencës së “shikuesit” të saj. /Telegrafi/