Si kërcënuese e kanë quajtur deputetët opozitarë deklaratën e kryeministrit se Kosova mund të shkojë edhe pa platformë në bisedime me Serbinë, nëse nuk arrihet një konsensus i gjerë politik, raporton KTV.
Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se kryeministri konsensusin po e kupton si fakt që opozita duhet të pranojë atë që do qeveria. Ndërkohë, prijësi i deputetëve të PSD-së, Dardan Sejdiu, thotë se kryeministri po harron se Kosova është republikë parlamentare.
Ilir Deda nga Alternativa deklaron se tërheqja e platformës nga Kuvendi ka treguar dështimin e qeverisë që në mënyrë klandestine ta mandatojë Hashim Thaçin prijës në fazën finale të dialogut. Por, në PDK ende besojnë se mund të ketë konsensus. E quajnë të dëmshme nëse Kosova do të shkonte në bisedime pa platformë. Një ditë më herët, qeveria e tërhoqi nga kuvendi projekt platformën për fazën finale të dialogut me Serbinë deri në arritjen e një konsensusi politik. Por, kryeministri tërhoqi vërejtjen se nëse nuk ka pajtim, atëherë Kosova mund të shkojë edhe pa platformë në fazën finale të dialogut.

















