Surroi: Thaçi nuk ka kredibilitet për të udhëhequr negociatat me Serbinë (Video)

E publikuar: 05/06/2018 22:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Formula për zgjidhjen e konfliktit është konsensusi, ka thënë publicisti, Veton Surroi, i cili nuk ekziston për shkak të kapjes së shtetit.

Si prijësi i kësaj kapje, presidenti Hashim Thaçi, sipas Surroit, nuk mund të ketë kredibilitet për udhëheqje të negociatave me Serbinë.

I pyetur se nëse megjithatë presidenti Thaçi do të udhëheq këtë proces, ai përmendi rastin e gjashtë qytetarëve turq të cilët iu dorëzuan shërbimit sekret turk.

“Në këtë vend çdo gjë është e mundur, mund të thyhet ligji, mund të thyhen normat edhe në këtë”, theksoi ai.

“Lopa e machiatos” është libri i gjashtë me radhë i shkrimeve heretike që shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi thumbon realitetin politik në të cilin po kalon Kosova, e që nuk po arrin të marrë veten edhe pas 10 vjetëve shtet.


Surroi: Kosovës i duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes

21:17 – Një dekadë negociata mes Kosovës dhe Serbisë, sipas shkrimtarit dhe publicistit, Veton Surroi, nuk kanë prodhuar asgjë, përveç se kanë humbur kohë kot dhe kanë krijuar konflikte të reja.

Në një intervistë për Rubikon të KTV-së, Surroi ka thënë se vendit i duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse e paqes që trajton në një formë krejtësisht të re të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.

“Kosova dhe Serbia në këtë pothuajse dekadë tash kanë shpenzuar kohën kot, posaçërisht kot në një proces që nuk ka prodhuar asgjë por vetëm ka krijuar probleme te reja, siç është asociacioni i cili mund të jetë embrioni i konflikteve të reja”, ka thënë ai.

“Kosova ka nevojë të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Serbinë. Kosovës i konvenon të hyjë në një proces negociator nëse ajo është e gatshme, nëse krijon një konsensus, jo për të krijuar marrëveshje tjera por për një marrëveshje paqeje”, shtoi tutje Surroi.


Surroi: NATO-ja ndërhyri pasi UÇK-ja nuk e fitoi luftën në Kosovë

21:05 – “Lufta e UÇK-së nuk ka qenë gjëja më sublime në historinë e Kosovës”, ka shkruar publicisti Veton Surroi te “Lopa e Macchiatos”.

Ndonëse e çmon luftën që bëri Ushtria Çlirimtare, ai thotë se në luftë u vranë më shumë civilë dhe nuk e bën më pak të rëndësishëm luftën e Fehmi Aganit, i cili për dallim nga një ushtar që kishte me çka të mbrohej, Agani luftoi me mendjen dhe dijen e tij.

“Ushtari që vdes me kallash kur ka hyrë në një luftë ka edhe aftësinë e mbrojtjes, Fehmi Agani nuk ka pasur me çka të mbrohet pos me mendjen e tij, me zemrën e tij dhe në fund u vra”, ka thënë Surroi.

“Nuk ka qenë lufta e Kosovës vetëm me Adem Jasharin por e tërë familja Jashari”, ka thënë Surroi duke shtuar se flijimi i kësaj familje është pika kulmore e konfliktit ku tregon se Serbia ishte në gjendje të vrasë këdo që është shqiptar dhe që kjo familje bëri sakrificën më sublime në çështjen e Kosovës.

“Ndërhyrja e NATO-s nuk erdhi se UÇK e fitoi luftën por sepse nuk mundi ta fitojë”, shtoi tutje Surroi.


Surroi tregon se ç’organizim i parapriu krijimit të UÇK-së

20:46 -Publicisti Veton Surroi duke shtjelluar pjesën e dytë të librit “Lopa e Macchiatos”, mitin e UÇK-së të vitit ’99, foli për një takim ku kishte marrë pjesë ai bashkë me këshillin në krye me Ibrahim Rugovën.

Në atë takim të fshehtë ku morën pjesë edhe Zahir Pajaziti, Fehmi Agani, Ramush Tahiri dhe të tjerë, u vendos për dërgimin e pjesëtarëve për t’u stërvitur ushtarakisht në Shqipëri.

Në libër Surroi thekson se ky ishte një vendim i LDK dhe Këshillit konsultativ të partive politike.

“Nga aspekti praktik, e kishim se, lufta e cila një ditë do të vinte në Kosovë sepse ne do të rezistonim sa të mundnim në formë paqësore por mund të vinte ajo luftë, duhej të na gjente së paku të përgatitur për një mbrojtje të parë në mënyrë që pastaj të mobilizohej popullata”, ka thënë ai.

Sipas Surroit, pjesë e listës për t’u stërvitur ishte Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti. Ai kujton bisedën me Pajazitin kur vetë i kishte kumtar lajmin.

“Më tha që unë po kaloj në luftë të armatosur, i urova fat. Unë nuk isha pjesë e atij organizimi, dija por me qëllim e kishim lënë në heshtje të plotë në mënyrë që mos ta dinte politika sepse do të flitej për të dhe do të penetrohej prej sigurimit serb. Për fat të keq ata u penetruan qysh në Shqipëri dhe disa prej tyre u ndoqën”, shpjegoi Surroi.


Surroi: Një ditë do të komunikojmë me njerëzit që pësuan nga Bedri Pejani

20:24 – “Lopa e Macchiatos” thumbon edhe mitin se shqiptarët e Kosovës kanë mbrojtur hebrenjtë. Sipas, shkrimtarit dhe publicistit, Veton Surroi, këtë nuk e bëri Bedri Pejani.

“S’mund të keni një sistem të vlerave të njëjtë kur thoni se Bedri Pejani është ndër figurat më të rëndësishme historike dhe i kemi mbrojtur hebrenjtë. Një ditë do të komunikojmë me njerëzit që kanë pësuar nga Bedri Pejani”, ka thënë Surroi.

“Gabimi i tij është një gabim që na mvishet”, theksoi tutje ai.