Arifi mohon t’i ketë dërguar BE-së letër për mos-vazhdim të dialogut

E publikuar: 04/06/2018 23:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Televizioni publik raportoi se kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, Avni Arifi, i ka dërguar një letër kabinetit të ndërmjetëses Federica Mogherini, përmes së cilës e ka njoftuar BE-në se nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa zbatim të plotë të marrëveshjeve nga ana e Serbisë.

Mirëpo, në një prononcim për Koha.net, Arifi thotë të mos e ketë dërguar një letër të tillë.

“Jo, nuk i kam dërguar letër Mogherinit. Ne kemi pasur komunikim të brendshëm me zyrtarë të BE-së që ka dal në media e të cilin nuk dua ta komentoj”, ka thënë Arifi për Koha.net.

Megjithatë, ai ka konfirmuar se dialogu në Bruksel nuk do të vazhdojë më 7 qershor.

“Është propozuar data 7 qershor me një agjendë që ne nuk e kemi pranuar. Unë nuk kam pranuar që të diskutoj për ndonjë temë tjetër pa diskutuar për energjinë, temë të cilën e kërkojmë që nga marsi”, theksoi ai.