Thaçi nuk përmbush asnjë kriter për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, thotë Ymeri

E publikuar: 04/06/2018 22:12
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Partisë Social Demokrate, Visar Ymeri ka thënë se Presidenti i vendit Hashim Thaçi nuk është figura e duhur për ta drejtuar dialogun final mes Kosovës e Serbisë.

Derisa ka komentuar çështjen ekipin negociator, Visar Ymeri tha se Hashim Thaçi nuk ka pikat ideale për të qenë kryesues i dialogut, njofton Klan Kosova.

“Atributet që një person duhet t’i ketë për të qenë prijës i dialogut Kosovë- Serbi, është që ta ketë edhe autoritetin edhe mundësinë që t’i bëjë bashkë forcat politike në vend. Ta ketë integritetin politik dhe moral dhe ta ketë dëshmuar se nuk i bishtnon institucionet e vendit”, tha Ymeri në Zona B në Klan Kosova.

“Nuk e di se cilin nga këto kritere i përmbush Hashim Thaçi sot?!” ka thënë Ymeri.

“Ai nuk ka pasur integritetin e mjaftueshëm politik dhe moral. Ju e dini sa ka bërë shaka në Kuvend për dialogun. Ai nuk ka dëshmuar se nuk bishtnon institucionet, e as nuk e ka potencialin e autoritetit për t’i bashkuar forcat politike në vend”, theksoi ai.

“Mbase asnjëri nga ta nuk është ideal, por edhe kjo do duhej të jetë temë diskutimi i të gjithëve e po ashtu edhe i Shoqërisë Civile, për platformën edhe kush mund të jetë më i miri për ta drejtuar këtë platformë”, shpjegoi Ymeri.

“Vet vota në Kuvend për të mandatuar kushdo qoftë për dialog me Serbinë, jep fuqi politike. Nëse të gjitha forcat parlamentare e përkrahin një person të caktuar atëherë ky person është i fuqishëm”, tha Ymeri.

“Republika Parlamentare është e jashtëzakonshme të ndodhë, sepse nuk e kemi parë deri më tash. Kuvendi është kaq i pafuqishëm karshi Presidencës”, përfundoi ai.