Manchester City thuhet se është afër të nënshkruaj me yllin e Leicester Cityn, Riyad Mahrez, raportojnë mediat angleze.
Qytetarët fituan titullin kampion në Ligën Premier disa javë pa përfunduar sezoni i rregullt, duke e dominuar atë nga gjiro e parë.
Megjithatë, trajneri Pep Guardiola dhe drejtuesit e klubit nga Etihad dëshirojnë të përforcojnë edhe më shumë skuadrën për sezonin e ri.
E gjithë kjo pasi kampioni aktual anglez dëshiron të jetë konkurrues edhe në Ligën e Kampionëve dhe jo vetëm në Ligën Premier.
Mahrez gjatë një dueli me Gundogan (Getty Images)
Sipas mediumit të njohur anglez Metro, City është afër një marrëveshje për të nënshkruar me algjerianin Mahrez nga Leicester City.
Kampionët e Ligës Premier do të paguajnë 69 milionë euro, me një marrëveshje që pritet të përfundojë gjatë dy javëve të ardhshme.
Përveç kësaj, Leicesteri do të fitonte edhe shërbimet e anësorit të talentuar anglez, Patrick Roberts, që do të kalonte në anën tjetër si pjesë e marrëveshjes.
Me transferimin e Mahrezit, City thuhet se do t’i jepte fund ndjekjes së yllit të Chelseat, Eden Hazard, i cili ishte edhe prioritet. /Telegrafi/

















