Një punëtor i Postës së Kosovës ka keqpërdorur pozitën duke marrë të dhëna personale prej një kleinteje. Ia kishte marrë numrin e telefonit dhe i kishte dërguar mesazhe. Abetare Syla ka paralajmëruar ankesë në Postë e Agjenci për mbrojtjen e të dhënave personale. Këta të fundit kanë paralajmëruar ndëshkimin e postierit.
Jo rrallë herë njerëzit e panjohur të shkruajnë mesazhe.
Por Abetare Syla u përball me një mesazh i cili ishte mjaftë shqetësues për të.
Pak ditë më parë kishte shkuar në postë për të marrë një pako që kishte porositur online.
Ia kërkuan të dhënat personale e ndër to edhe numrin e telefonit, si dëshmi që pakon e ka marrë njeriu i duhur.
Por muhabeti nuk përfundoi këtu. Punëtori i postës ishte i interesuar të zgjaste bisedën me Abetaren.
Në bisedë e sipër djali kishte pasur guximin t’i tregonte që numrin e zonjushës flokëkuqe e kishte marrë nga posta. Madje i kishte dhënë edhe detaje.
Syla madje është duke përgatitur një ankesë për ta drejtuar në Postën e Kosovës.
E kjo ankesë do të shkoj edhe në Agjencinë për mbrojtjen e të dhënave personale.
Jeton Arifaj nga kjo agjenci për T7 ka bërë të ditur se kjo çfarë ka ndodhur është shkelje dhe do të ndëshkohet.
Deri më tani kjo agjenci ka marrë mbi 400 ankesa që kanë të bëjnë me marketingun e drejtpërdrejtë.
T7 ka provuar të kontaktojë me postierin emri i të cilit është Lavdi. Mirëpo, i njëjti nuk është përgjigjur. E ka pasur të ndalur edhe telefonin nga i cili i ka shkruar Abetares.