Trajneri i Paris Saint-Germain, Unai Emery, është në shqyrtim nga drejtuesit e Arsenalit si pasues i Arsene Wengerit dhe tani mendohet se është favorit për stolin e londinezëve.
Wenger ka konfirmuar largimin e tij nga Arsenali në fund të sezonit pas 22 viteve të kaluara te skuadra londineze dhe drejtuesit e klubit po shikojnë për pasuesin e tij.
Sipas mediumit britanik Sunday Express, Topçinjtë do të lëvizin për trajnerin e PSG-së, Emery, që po largohet pasi dyshja Luis Enrique dhe Max Allergi shprehën rezerva për strukturën e menaxhimit të klubit anglez.
Megjithatë, një pengesë e madhe mendohet të jetë paga e spanjollit që kërkon rreth 8.5 milion funte apo 9.6 milionë euro në vit për të kaluar në kryeqytetin anglez kur ai të largohet nga PSG.
Emery është favorit për stolin e Arsenalit (Getty Images)
Arsenali ka rezerva rreth pagës së kërkuar dhe me siguri nuk do të jetë i gatshëm të paguaj një shifër të tillë pas shpenzimeve të madha në janar.
Henrikh Mkhitaryan dhe Pierre-Emerick Aubameyang janë blerë dhe mesfushori gjerman Mesut Ozil gjithashtu ka nënshkruar një kontratë të re dhe ka shtuar faturën e shpenzimeve.
Emery arriti në PSG me një reputacion të fortë pasi udhëhoqi Sevillan për tri fitore të njëpasnjëshme të trofeut në Ligën e Evropës dhe gjithashtu luajti mirë me burime të kufizuara në Valencia.
Por në fund të fundit, spanjolli nuk ka qenë në gjendje të fitojë Ligën e Kampionëve që dëshirojnë pronarët e PSG-së nga Katar dhe për këtë do të largohet. /Telegrafi/

















