Prej shumë vitesh, inxhinierët nuk kanë ditur t’i japin përgjigje pyetjes kryesore që lidhet me kullën e Pisës në Itali.
Si ka mundësi që kulla e anuar u ka mbijetuar tërmeteve të forta që kanë goditur në shekuj zonën ku ajo është ndërtuar (punimet nisën në vitin 1173)?
Një grup prej 16 studiuesish ka ftuar në bashkëpunim për të gjetur përgjigjen një ekspert të njohur të inxhinierisë së tërmeteve dhe ndërveprimit truall-ndërtesë në Universitetin e Bristolit.
Profesor George Mylonakis iu bashkua ekipit të inxhinierëve italianë në Roma Tre University, përcjell Tema.
Përkundër animit në një kënd 5 gradë, që çon në një zhvendosje më shumë se 5 metra nga qendra e rëndesës në majë të saj, kulla me lartësi 58 metra ka arritur të mbijetojë pa u dëmtuar, pavarësisht se katër tërmete të forta e kanë goditur që prej vitit 1280 zonën ku ndodhet.
Duke parë strukturën dhe animin e saj, duket e logjikshme që edhe një tërmet i lehtë mund ta dëmtojë apo ta shembë fare. Por kjo nuk ka ndodhur dhe i ka lënë inxhinierët pa fjalë për vite me radhë.
Pasi studiuan aktivitetin sizmik të rajonit, të dhënat gjeoteknike dhe strukturore, ekipi i studiuesve doli në përfundimin se kulla e Pisës ka qëndruar në këmbë falë një fenomeni që njihet si ndërveprimi dinamik truall-strukturë (DSSI).
Lartësia e konsiderueshme dhe ngurtësia e kullës, të kombinuara me butësinë e tokës në themele, bëjnë që dridhjet karakteristike që shkakton tërmeti të modifikohen në mënyrë të konsiderueshme, në një mënyrë të tillë që kulla e të mos rezonojë me lëkundjet e tokës ku është ngritur.
Ky ka qenë sekreti i mbijetesës së saj në shekuj. Kombinimi unik i këtyre karakteristikave i jep Kullës së Pisës rekordin botëror për efektin DSSI.