Qeveria nuk jep datë për procedimin e projektligjit për FSK-në, synon ta bëj me ndryshime kushtetuese

E publikuar: 26/04/2018 09:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krijimi i Ushtrisë së Kosovës vazhdon të mbetet një ndër prioritetet e Qeverisë.
Kjo e fundit pritet që më 30 prill t’ia procedojë Kuvendit projektligjin për krijimin e Ushtrisë. Të paktën kështu është paraparë në programin legjislativ për vitin 2018.

Të kontaktuar nga lajmi.net, zyrtarë të qeverisë nuk kanë përmendur datë se kur do të ndodhë procedimi i këtij projektligji.

“Qeveria do të bëjë të gjitha përpjekjet që Ushtria të bëhet me ndryshime Kushtetuese”, është thënë nga Zyra e Kryeministrit.

Sipas tyre, ushtria e Kosovës do të bëhet pasi që ka vullnet të plotë të qytetarëve dhe partnerëve strategjik të Kosovës.

Gjasat që Ushtria e Kosovës të themelohet me ndryshime kushtetuese janë të pakta, pasi Lista Serbe vazhdimisht deklarohet kundër.

Skender Perteshi, nga Qendra Kosovare për Studime dhe Siguri ka thënë për lajmi.net aktualisht është e pamundur ndryshimi i mandatit të FSK-së.

“Tani është e pamundur që FSK të ndryshojë mandatin e saj dhe të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës përmes ndryshimeve kushtetuese shkaku i hezitimit të deputetëve të Listës Serbe për të votuar në favor të këtij ndryshimi”, ka thënë Perteshi.

Serbët e Kosovës ditë më parë u kërcënuan nga drejtori i Zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, pasi ky i fundit i paralajmëroi se nëse bëhen pjesë e ushtrisë kosovare do të dënohen sipas ligjit penal të Serbisë ku pjesëmarrja në formacionet ilegale të armatosura është e dënueshme deri me 10 vjet burgim./Lajmi.net/