Në dhjetor të këtij viti, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pati realizuar një vizitë në Kosovë.
Përgjatë vizitës së tij, ndër diskutimet e shumta me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj ishte përmendur edhe ideja e mbajtjes së një mbledhje të përbashkët në mes të dy qeverive.
Mbledhje kjo e ngjashme me atë që mbahet çdo vit në mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.
“Në fillim të vitit të ardhshëm dua ta ftoj Ramush Haradinaj për Maqedoni si dhe për mbledhje të përbashkëta”, pati thënë Zaev.
Lidhur me këtë propozim, Indeksonline ka kontaktuar Qeverinë e Kosovës për të ditur nëse një gjë e tillë po realizohet.
Sipas shefes së Zyrës për Informim në qeverinë Haradinaj, Donjeta Gashi, mbledhja në mes dy qeverive veçse është duke u organizuar.
“Mbledhja e përbashkët mes dy Qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë është duke u organizuar, po punohet në koordinimin e të gjitha çështjeve organizative dhe tematike”, ka thënë Gashi.
Gjithashtu është theksuar se tashmë janë marrë kërkesat dhe nevojat e ministrive nga dy qeveritë për të parë se cilat marrëveshje të reja të bashkëpunimit mund të arrihen.
“Me kryeministrin e Maqedonisë, në takimin bilateral që kryeministri i Kosovës ka pasur javën e kaluar janë diskutuar të gjitha temat për të cilat dy shtetet mund të vendosin marrëdhënie ekonomike, diplomatike dhe politike”, ka thënë tutje Gashi.
Pra mbetet pak kohë deri në mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive, asaj të Kosovës dhe Maqedonisë pasi do të mbahet shumë shpejtë./indeksonline/