Komisioni për Shëndetësi e ka kritikuar punën e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Mjekësore. Gjatë raportimit para këtij komisioni, kryeshefi i AKPPM-së, Jeton Shala është pyetur për dyshimet për cilësinë e insulinës po edhe të produkteve të tjera.
Deputetet e pozitës dhe opozitës kanë ngritur dyshime se qytetaret kosovarë konsumojnë barna pa cilësi. Kryeshefi Shala ka thënë se insulina që përdoret është produkt similar dhe së është i njëjtë me insulinën humane që është kontraktuar nga MSh para dy viteve, raporton Koha Ditore.
“Ne e kemi dërguar në laborator në Kroaci dhe verdikti ka qenë që bari ka cilësi”, ka thënë Shala.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka thënë që falsifikimi i barnave viteve të fundit është rritur shumë. Ai për këto raste ka thënë se janë parashkruar në gjykatë për shkak se falsifikimi i barnave në Kosovë dënohet maksimumi deri në tri vjet.
Kryeshefi Shala është ankuar se nuk ka pasur mbështetjen e Qeverisë për rritjen e numrit të punësuarve por deputeti i NISMA-s, Enver Hoti ka thënë se vetë AKPPM-ja ka keqpërdorur punësimet.
“Ju po ankoheni se keni nevojë për punëtorë megjithatë edhe ata që i keni pranuar nuk janë profesional. Ju e dini për çka e kam fjalën. Kryesisht po flas për punësime nga viti 2016”, ka thënë ai./koha.net/