Esela Pysqyli, plot 9 vite pas atij sitkomi, numëron dhjetëra role në teatër, por edhe për kinemanë ka të njëjtin pasion. “Shumë zhurmë për asgjë”, projekti i fundit me të cilin Esela është angazhuar pranë Teatrit Eksperiemental, ka risjellë edhe një herë publikun kryeqytetas pranë aktores së tyre të preferuar.

Pasditen e sotme, Esela ishte e ftuar në “Rudina” në Tv Klan, për të rrëfyer më shumë për projektet e saj të fundit, serialin që i dha vëmenedjen maksimale në publik, emrin me të cilin akoma edhe sot vazhdojnë ta identifikojnë, por edhe ca sekrete nga jeta private, për të cilat nuk paskemi ditur gjë.
Esela, prtej 5-vjetësh, e ndan jetën mes Italisë dhe Shqipërisë. Siç tregon ajo, e gjen veten njëlloj në të dyja vendet, në të dyja vendet është si në shtëpi. Kur është në Romë, i mungon Shqipëria, ndërsa kur është këtu, i mungon Roma: “Kam 5 vjet që jam transferuar në Itali. Në të dyja vendet ndihem si në shtëpinë time. Jam transferuar për shkak të dashurisë” – tregon ajo me të qeshur duke shtuar se tashmë është e martuar me partnerin, me të cilin është e dashuruar prej 9 vitesh: “Duke qenë edhe aktor, por nuk e njeh gjuhën shqipe, m’u desh mua që ta bëja sakrificën dhe të shkoj pranë tij.”
Por nuk është keq edhe kështu. Puna e aktorit i jep asaj mundësi të punojë si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Partneri, tregon ajo, e ndjek pothuaj në çdo shfaqje, madje është nga ata që ka më shumë vlerësim sesa kritika: “Më sheh me sytë e dashurisë”, – thotë me të qeshur aktorja.
Kohën kur është njohur me bashkëshortin, Esela e kujton si periudhën, ndoshta më të vështirë, të jetës akademike. Arsyeja është e thjeshtë – adoleshenca e vonë: “Ne jemi njohur në një takim shkollash teatri. Takimi i përvitshëm, atë vit, bëhej në shkollën e tij. Ai u dashurua me shikim të parë, ndërsa unë isha në një moëment të vështirë, akoma në adoleshencë”, – thotë ajo me të qeshur duke shtuar se bashkëshortit i është dashur shumë këmbëngulje që ta nxirrte nga ‘vorbulla’ në të cilën ishte fokusuar gjatë asaj kohe.
Por ia vlejti. Sot është e lumtur dhe e kënqur me gjërat që ka arritur… Madje, jo vetëm Esela, edhe partneri i saj. Objektivin, akoma nuk e ka arritur. Dëshira më e madhe e saj është të arrijë të triumfojë në tregun italian të kinemasë ose teatrit. Por nuk është edhe aq e thjeshtë. Për momentin, tregon ajo, po përpiqet të krijojë dalëngadalë kontaktet, në mënyrë që, në një të ardhme të shkurtër, të arrijë të bëhet pjesë e ndonjë audicioni e pse jo, prej andej, të fitojë ndonjë rol që t’i hapë rrugën drejt një karriere kinematografike./Class/

















