Pak a shumë. Por është një prej atyre dhuratave, e cila, edhe pse mund të jetë shenjuar për një ditëlindje a një rast të veçantë, në fakt e ka pasur më të gjatë rrugëtimin dhe domethënien.
Nëse ka një objekt identifikues për një këngëtar, ai është, pa asnjë dyshim mikrofoni. Sa janë të vegjël e nisin të shfaqin pasionin e tyre, të gjithë këngëtarët e kujtojnë me nostalgji momentin e parë kur kanë kapur mikrofonin. Mund t’u jetë dukur lodër atëherë, ose mund t’u jetë dukur diçka e madhe për ta zotëruar, kontrolluar e për ta bërë të buçasë. Por vitet dhe koha kanë treguar se, nëse ke zë, mikrofoni e gjen vetë rrugën – nuk është fare nevoja ta kërkosh. Marsela Çibukaj është një prej atyre këngëtareve që nuk e ka kërkuar mikrofonin e parë. I është dhuruar. Madje shumë vite më parë, kur ende ëndërronte të bëhej këngëtare. Sot, ajo vazhdon të këndojë me të njëjtin mikrofon shpeshherë në skenë, por momentin kur i është dhuruar e kujton edhe sot me shumë nostalgji.

E ftuara e parë në programin e ri të revistës Class, “Talk Talk”, Marsela Çibukaj, mes shumë pyetjeve pikante, zbuloi edhe disa detaje nga jeta private. Pasi hapi çantën (për të cilën ajo zbulon se e ka një model vintage që e ka siguruar në tregun e sendeve të përdorura), mes shumë të tjerave, Marsela ndalet te një pusullë urimesh – e cila është në portofolin e saj prej më shumë se 16-vjetësh: “Kjo është një biletë urimesh që më ka ardhur me mikrofonin e parë që më është dhuruar në jetë. Ka qenë nga një person shumë i veçantë në zemrën time, një person që e kam dashur shumë dhe më ka uruar që me këtë mikrofon të ishte fillimi i një karriere të gjatë….” – thotë Marsela ndër të tjera.

Në fakt, kështu ndodhi. Nëse nuk është nisur për të qenë hajmali, me vitet, ai mikrofon dhe kjo pusullë u kthyen në të tillë për Marselën: “Dhe në të vërtetë, sot kanë kaluar më shumë se 16 vite nga ajo dhuratë. Mikrofonin e ruaj gjithmonë me vete dhe e mbaj në skenë. Gjithashtu, mbaj edhe këtë urim, sepse mendoj se më solli shumë fat dhe mendoj që me të vërtetë qe fillimi i gjithçkaje” Gjithmonë nis nga diku dhe nga diçka… Qoftë ajo edhe një biletë që të uron një rrugëtim të mbarë në dëshirën më të madhe në jetë. Pas 16, 26 apo edhe më shumë vitesh, ajo biletë do të jetë sërish në portofol, është gjithmonë bukur t’i rikthehesh. Është si t’i rikthehesh asaj që gjatë gjithë jetës ke mbajtur me vete si hajmali.


















