Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur sot në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar në lidhje me arrestimin e gjashtë shtetasve turq të enjten e kaluar
Seanca e jashtëzakonshme u caktua sot nga Kryesia e Kuvendit me kërkesë të 40 deputetëve, nënshkrimet e të cilëve u mblodhën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Seanca filloi në kohën e caktuar por që nuk janë prezent as kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e as kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.
Në seancë nuk po marrin pjesë shumica e ministrave të kabinetit qeveritar.
Iniciuesi i kësaj seanca, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se kjo Qeveri po e shpie vendin nga një krizë në krizën tjetër. Ai theksoi se kryeministri nuk mundi ta shkarkojë drejtorin e AKI-së.
Ai ka akuzuar presidentin Thaçi për ndërhyrje në kompetencat që ai nuk i ka duke shkelur Kushtetutën.
“Më 26 mars, krerët e institucioneve me veprim apo mos veprim kanë shkelur rënd ligjet dhe Kushtetutën, me 29 mars kishte tejkalim të autorizimeve ligjore dhe kushtetuese dhe dështim të plotë të zinxhirit komandues. Prandaj duhet të ketë përgjegjësi të plotë në gjithë zinxhirin komandues, të cilët kanë ekzekutuar apo kanë lejuar me heshtje ose pjesëmarrje aktive të shkeljes së ligjeve dhe konventave ndërkombëtare”, tha Hoti.
Pas këtij debati, Hoti tha se ata do të paraqesin një rezolutë për miratim, me të cilën do të kërkohen sqarime dhe përgjegjësi rreth këtij rasti.
“Nën një, drejtori i Policisë, kryeprokurori i shtetit, drejtori i AKI-së, ministri i brendshëm, i jashtëm, i drejtësisë, drejtori i aviacionit bashkë me ministrin e infrastrukturës brenda tri dite të raportojnë me shkrim në komisionin përkatës parlamentar për përgjegjësitë që kanë pasur dhe procedurave që janë ndjekur në këtë rast. 2. Formimin e komisionit hetimor për zbardhjen e këtij skandali që ka cenuar rënd të drejtat elementare njerëzore. 3. Përgjegjësit e këtij skandali të japin përgjegjësi bazuar me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. 4. Kuvendi kërkon nga institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë që përgjegjësit e këtij skandali institucional t’iu respektohet e drejta për gjykim të drejt, transparent sipas ligjeve dhe konventave ndërkombëtare përfshirë edhe të drejtën e ankesës që këta ia mohuan gjashtë shtetasve turq”, tha Hoti.
Ndërsa, shefi i Grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, vlerësoi se është e domosdoshme që Kuvendi të diskutojë dhe ta thotë fjalën e vet për këtë ngjarje jo të zakonshme, meqë debati deri më tani është mbajtur nëpër konferenca shtypi dhe debate televizive.
Mirëpo, ai tha se edhe pas një jave ende nuk kanë asnjë informacion rreth ngjarjes së zhvilluar një javë më parë. Derisa, e ka quajtur shqetësues faktin e mos funksionimit të hierarkisë institucionale dhe informimit vertikal në lidhje me veprimin.
“Qëndrimi i PDK-së i shprehur edhe në ditët e kaluara, për ne shteti ligjor është mbi të gjitha dhe se ne nuk mbështesim veprime arbitrare që nuk janë në pajtim me ligjin. Të gjithë banorët e vendit tonë duhet të drejta dhe liri të garantuara duke përfshirë edhe procese juridike që ua mundëson atyre mbrojtjen dhe përfaqësimin e drejt. Në këtë kuadër kërkojmë nga Qeveria që ta njoftojë Kuvendin se a janë respektuar procedurat legale dhe të drejtat e shtetasve turq të deportuar në plotni. Nëse kjo nuk ka ndodhur duam të dimë se cilat janë masat që do të merren nga institucionet përgjegjëse. Përveç kësaj ne kërkojmë përgjegjësi edhe për pasojat eventuale që mund të kemi në rrafshin ndërkombëtar”, theksoi Krasniqi.
Ai tha se nëse qëllimi i atyre që thirrën këtë seancë, për t’u informuar, atëherë ka qenë e udhës që të ftohet një seancë konfidenciale, që të thirreshin gjithë bartësit e institucioneve relevante për ta informuar Kuvendin me informacionet që posedojnë.
Shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, si me ironi ka thënë se javën që shkoi ‘është gëzuar shumë meqë kryeministri ka televizor’.
Ai ka akuzuar presidentin Thaçi për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.
“Unë mendoj që prej këtyre treve njëri po gënjen dhe unë mendoj se ai që nuk është duke e thënë të vërtetën është presidenti Hashim Thaçi. Po jap disa fakte. Presidenti Thaçi dhe Edogani kanë ndërtuar një raport jo ligjor me njeri tjetrin që mbështetet në konceptin e favorit përmes kryerjes së favorit ndaj njeri tjetrit. Ju kujtohet se si Erdogani vinte në mbështetje të fushatës elektorale të Hashim Thaçit dhe ky ia shpërblente me privatizime të ndryshme, shembull privatizimin e Aeroportit të Prishtinës dhe privatizimin kriminal të distribucionit të energjisë elektrike. Dhe tash Hashim Thaçi po ia kthen këto favore në mënyrën më të keqe për shtetin përmes shfrytëzimit të fuqisë së tij jashtë ligjit, përtej Kushtetutës, përmes rrjetit kriminal të pushtetit që ka krijuar, arreston njerëz dhe deporton dhe ia qon drejt Erdoganit gjashtë personat që ai i konsideron terrorist dhe i kërkon për me i ndëshkuar”, theksoi ai.
Edhe deputeti i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Molliqaj ka akuzuar presidentin Thaçi se ka gisht në arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq, pasi vetë ai e ka pranuar në konferencë për media se ka marrë vendim për këtë aksion. Megjithatë, Molliqaj tha se Thaçi si dinak në politikë nuk ka bërë shkelje, sepse e ka përdorur ligjin, ndonëse motivet sipas tij, janë problematike.
“Hashim Thaçi për bindjen tonë i ka shërbyer në këtë rast Erdoganit për deportimin e këtyre shtetasve duke u thirrur në një nen se e cenojnë sigurinë kombëtare. Po ashtu ne nuk kemi informacione as si Kuvend, as si institucione, por ka pasur raportime se këta njerëz kanë pasur qarkullime me miliona euro në llogaritë e tyre bankare, pra është folur për 60 milionë për njërin, qindra tjera për tjerët. Ku janë shkuar ato para, për çka janë përdorur ato para. Unë jam i bindur se Hashim Thaçi i ka bërë favor Erdoganit. Problemin që kam këtu është që po e fut Kosovën në një betejë të padrejtë prej perspektivës sonë dhe interesa të dy grupeve në Turqi, për interesa të tij personale”, tha Molliqaj.
Molliqaj e ka quajtur edhe të gabuar mënyrën se si e kanë shtruar debatin në Kosovë. Sipas tij, nëse reagon zëshëm quhesh gylenist, nëse nuk reagon je me Erdoganin. Por ai tha se nuk janë me asnjërin.
Shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, tha se rasti i deportimit të gjashtë shtetasve turq i ka tronditur pasi kanë të bëjnë me një veprim antiligjor dhe antikushtetues që dëmton institucionet e vendit dhe imazhin e Kosovës.
Sipas tij, llogaridhënia po vërehet se ka munguar meqë nuk janë njoftuar shefat e tyre.
“Është ky rast që duhet t’i bëjë me dije gjithë ata që marrin përgjegjësi institucionale publike që të veprojnë sipas ligjit dhe Kushtetutës, sepse çdo veprim tjetër e dëmton interesin e Kosovës. Dua të them se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë ashtu siç kanë qenë në të kaluarën do të vazhdojnë të jenë edhe në të ardhmen, sepse është në interes i dy shteteve, të bashkëpunojnë dhe të kenë marrëdhënie të mira. Po e them edhe atë që është thelbësore, se nuk ka shmangie nga orientimi euroatlantik të këtij vendi sepse kemi të bëjmë me investime të mëdha që janë bërë si nga BE dhe SHBA. Përfundimisht Kuvendi duhet të kërkoj nga Qeveria një informim të plotë në mënyrë që të kemi për çka të debatojmë”, theksoi Isufi.
Shefi i Grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Bilall Sherifi, tha se rasti i gjashtë shtetasve turq është rrëmbim, të cilët i janë dorëzuar më pas në hetuesinë e një shteti për të cilin organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut sjellin fakte alarmuese për shkelje tejet të rënda të të drejtave njerëzore.
“Pa marrë parasysh se a do të ndodhin a nuk do të ndodhin ngjarje të tilla në të ardhmen, rrëmbimi i gjashtë shtetasve turq me banim të ligjshëm në Kosovë dhe dorëzimi i tyre ku rrezikohet integriteti fizik dhe psikik, është krim për të cilin duhet të japin llogari të gjithë ata që kanë qenë të implikuar në këtë ndërmarrje”, tha Sherifi.
Ai tha se deputetët e kanë për obligim të ndriçojnë këtë akt të shëmtuar, por vetëm duke nxjerrë urdhërdhënësit, mund të zvogëlohet dëmi i shkaktuar. Igor Simiq në emër të Listës Serbe, tha se tema e sotme nuk do të ishte në kuvend sikur të mos kishte zhvillimet e kaluara në Mitrovicë, ku ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve serb pati ‘dhunë brutale’.
“Nuk na kanë rrahur një grup huliganësh në stadium, por na kanë rrahur policët ata që marrin pagën nga buxheti i Kosovës për të cilin ka votuar Lista Serbe. Na kanë falënderuar në mënyrën më të mirë”, tha ai.
Simiq thanë se të gjithë bartin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përkujtuar se të gjithë kanë përgjegjësi të përkujdesen për paqe.
Deputeti i Partisë Demokratike Turke, Fikrim Damka, organizatën “FETO” e ka quajtur se është terroriste dhe përmes rrjetit të vet ka tentuar të marrë në kontroll aparatin shtetëror.
Ai ka akuzuar gjashtë shtetasit turq se kanë vepruar nën maskën e mësimdhënësit, por që janë marrë me vepra ilegale në Kosovë. Madje, Damka tha se ata kanë rekrutuar edhe informator në MPB, AKI e FSK.
“Një pjesë e të deportuarve nga Kosova kanë vepruar nën maskën e mësimshënësit por në anën tjetër janë marrë me vepra tjera ilegale. Hulumtoni mirë se me qka akuzohet mjeku i deportuar, hulumtoni se si ka ndikuar mjeku i depoirtuar në procese gjyqësore përmes hartimit të raporteve të rrejshme për të pandehurit. Gjithahtu kërkoni hulumtimin e gjerë të qarkullimit vjetor prej 60 milionë euro të ashtuquajtur shkolës ‘Hizmeti’. Ku derdhën ato mjete. Krahasoni buxhetin e ministrisë së arsimit me këtë buxhet. Sipas raportit të AKI-së janë edhe disa fakte tjera, si, financimin emediave kosovare, rekrutimin e informatorëve në MPB, AKI dhe në FSK”, tha Damka.
Debati në Kuvendin e Kosovës është duke vazhduar ende ku shumica e deputetëve drejtojnë gishtin drejt presidentit të Kosovës Hashim Thaçi./rtv21/
















