Drejtori i përgjithshëm i Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësi i tij Yusuf Karabina, drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana të arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës, janë depërtuar në Turqi.
Këtë e ka konfirmuara për Radion Evropa e Lirë Adem Vokshi, avokat i rastit.
“Që nga mëngjesi kur shtetasit turq janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe deri më tani ishim diku pritur të bisedojmë, por nuk na është mundësuar fare kontakti me klientë, por si duket as që kishte pasur mundësi pasi që koloneli na tregoi se ata i kanë depërtuar menjëherë për arsye se nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës i kanë shpallur presona të rrezikshëm dhe kanë sjell vendim për depërtimin e tyre”, tha Vokshi.
Vokshi ka bërë të ditur se të gjithë personat e arrestuar janë tani e 12 vite në Kosovë dhe kanë pasur leje qëndrimo, disa prej tyre deri në vitin 2021 dhe disa deri në vitin 2023.
Gjatë ditës, Ministria e Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës revokoi lejet e qëndrimit për shtetasit e Turqisë, drejtor dhe arsimtarë të shkollës Mhemet Akif ” në Kosovë të cilët u arrestuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës.
“Duke iu referuar rasteve konkrete Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion ka vepruar në bazë të Ligjit për të Huaj dhe mandatit që ka për shqyrtimin dhe vendosjen e të gjitha kërkesave që kanë të bëjnë me leje qëndrim”.
“Kjo është një procedure ligjore e cila është aplikuar edhe në rastet e mëhershme, si për të huajt me leje qëndrim, gjithashtu edhe për të huajt që kanë fituar shtetësinë e Kosovës dhe u është revokuar për arsye të sigurisë, apo procedurave tjera të parapara me ligjin përkatës”, thuhet në komunikatën për media.
MPB bënë të ditur se gjatë administrimit të provave kanë konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës siç thuhet “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”.
Pas revokimit të leje qëndrimit, sipas kësaj ministrie, qëndrimi i mëtejmë i këtyre qytetarëve konsiderohet i jashtëligjshëm. Ndërkohë, që palët kanë të drejtë ankese në gjykatën kompetente.
Policia e Kosovës të enjten arrestoi drejtorin e përgjithshëm të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem, zëvendësin e tij Yusuf Karabina, drejtorin e shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez dhe dy arsimtarë Djihen Ozkan dhe Hasan Gunakana.
Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Nazmi Ulus, drejtor i Shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan.
Sipas përfaqësuesve të shkollës, arsyet për arrestimet nuk janë të qarta.
Të gjithë të arrestuarit janë qytetarë turq.
Aksionin e arrestimit të drejtorëve dhe arsimtarë të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë së Kosovës Bajram Krasniqi.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj i pyetur nga gazetarët lidhur me këtë rast theksoi se arsyeja e ndalimit të udhëheqësve të shkollës “Mehemet Akif” ka të bëjë me mos respektim të procedurave të qëndrimit në Kosovë.
“Këto janë ndalime. Kam kërkuar informacion nga Policia dhe nga institucionet tjera. Arsyeja e ndalimit është se mënyra e qëndrimit, është e padefinuar. Për të huajt që vijnë në Kosovë janë disa procedura për qëndrim dhe jemi të detyruar t’i zbatojmë ndaj të gjithëve”, tha Haradinaj.
“Sa di unë arsyeja e ndalim është vetëm kjo, pra është mungesë e respektimit të procedurave në Kosovë. Nuk besoj që ka të bëjë me aspekte të tjera dhe do të interesohem më tutje për këtë temë”, tha Haradinaj.
Nazmi Ulus, drejtor i Shkollës “Mehmet Akif” në Lipjan pas arrestimit që iu është bërë kolegëve të tij, thotë se i frikësohen dëbimit nga Kosova për në Turqi.
“Unë jam vërtet i frikësuar për veten, për familjen time dhe për të gjithë kolegët e mi, por unë mund ta them se besoj në mbështetjen e institucioneve të Kosovës dhe sistemin demokratik të Kosovës që të mos ndikohet nga presidenti turk, regjimi i Erdoganit”, thotë Ulus.
Në anën tjetër, Adem Vokshi, avokat i rastit, tha për Radion Evropa e Lirë se policia, deri më tash, ka ofruar pak informacione.
“Si duket i ka arrestuar policia kufitare dhe kjo neve na shqetësoj shumë mos po i depërtojnë pa u zhvilluar procedurë e rregullt gjyqësore. Ata janë arrestuar duke shkuar në punë. Ne ishim në polici dhe nuk na jepen asnjë informatë. Ata më dërguan në zyrën për mbajtjen dhe atje kontrolluan dhe thanë se aty nuk janë. Më vonë më informuan se policia kufitare i ka në qëndrim dhe nuk mund të kontaktojmë për të marr ndonjë informatë, deri sa të përfundon aksioni”, tha Vokshi.
Avokati Vokshi tha se e vetmja arsye për arrestimin e tyre mund të jetë mbyllja e shkollës dhe ekstradimi i tyre, kinse, siç thotë ai, “këta janë armiqtë e shtetit turk, por që për këtë nuk kanë asnjë provë”.
Ndërkohë, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) përmes një njoftimi për media ka kundërshtuar arrestimin e shtetasve turq në Kosovë.
“Autoritetet kosovare që synojnë të integrohen në demokracinë e përparuar, me këtë arrestim po e vënë në dyshim të skajshëm qëllimin dhe orientimin demokratik duke iu nënshtruar një kërkese autokratike dhe duke u rreshtuar në anën e përndjekësve politikë. Në këtë qërim hesapesh midis Erdoganit dhe Gylenit, Kosova duhet të mbajë qëndrim neutral duke respektuar standardet ndërkombëtare të drejtave të njeriut”, thuhet në një komunikatë të KMLDNJ-së.
Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan.
Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës./REL/