Dy ditë pas aksionit – Policia e pranon se dështoi ta arrestojë njeriun e afërm me Vuçiqit

E publikuar: 28/03/2018 23:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shteti ndërmori një aksion me Njësinë e Speciale të Intervenimeve ROSU, të hënën në Mitrovicën e Veriut duke arrestuar në mënyrë spektakolare shefin e Zyrës për serbe për Kosovë, Marko Gjuriq. Por dështoi ta arrestojë njeriun kryesor të Vuçiqit, Nikolla Selakoviq, anipse ai ishte në të njëjtën sallë me Marko Gjuriqin.

Për mos arrestimin e tij kishte raportuar Insajderi, duke kërkuar arsyen pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

Madje, në një komunikatë për media, të lëshuar nga ana e Policisë së Kosovës, ditën e aksionit në veri, askund nuk përmendet që nuk është arritur që të arrestohet njeriu më i afërm i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Por arsyeja përse nuk është arritur që të arrestohet sekretari gjeneral i Presidentit të Serbisë, Nikolla Selakoviq është fakti se Policët e Kosovës nuk e kanë njohur atë.

Këtë e ka thënë për Insajderi, Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ai mos identifikimin e Selakoviqit, nga ana e policëve të cilët ishin në aksion e arsyetoi për edhe për gjendjen e krijuar në atë vend.

“Siç e kemi bërë të ditur deri më tani me 26.03.2018 PK-ja bazuar në planifikimet policore, ka qenë e angazhuar në zbatim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës (RKS) për ndalim të vizitës në Kosovë të zyrtarëve serbë të cilët nuk kanë poseduar leje për hyrje në Kosovë. Bazuar ne kete vendim dhe bazuar ne veprimet operacionale brenda ne sallen ku po mbahej takimi i organizuar në veri te Mitrovicës është arrestuar z.Gjuriq te cilit i ishte refuzuar hyrja ne RKS. Veprimet policore ne atë lokacion kanë qenë të shpejta dhe profesionale, ku pas identifikimit te shpejtë është arrestuar z.Gjuriq, përderisa nuk është identifikuar ndonjë personalitet tjetër duke përfshirë z.Selakoviq. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore”, ka thënë Kelani.

Se Policia e Kosovës, kishte pasur urdhër për t’i arrestuar dy persona, (Gjuriq dhe Selakoviq), e pranoi edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Por, jo vetëm policët e Kosovës të cilët ishin në aksionin në veri, nuk e kanë njohur Nikolla Selakoviqin.

Se kush është ai nuk e kishte ditur as Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, përkundër që ministria që ai drejton, kishte qenë e involvuar në këtë aksion.

Ditën e arrestimit të Gjuriqit, Insajderi e ka pyetur ministrin Pacolli, pse nuk është arrestuar edhe Selakoviq. Por, ai e ngatërron atë, e ngatërron me një person tjetër.

E arsyetimin që e pat dhënë Pacolli për mos arrestimin e tij, është i njëjti me atë të Policisë së Kosovës.

Pacolli për Insajderi kishte thënë se sigurisht policët që ishin në aksion nuk e kanë njohur cili është Nikolla Selakoviq./Insajderi.com