33 vjet dashuri… Bashkëshortja e Robert Aliajt hap zemrën

E publikuar: 26/03/2018 21:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përulet para dashurisë së tyre, i adhuron deri në pafundësi dhe u përkushtohet njëkohësisht si një fëmijë naiv… Vështirë kur e mendon, por është kështu. Pa zë të lartë, pa bujë, si një njeri i dobët, fëmijë i bindur, i ndjeshëm dhe i dashur siç kurrë njerëzit mund ta kenë imagjinuar.


Kështu e tha pak muaj më parë kur ishte i ftuar në “Rudina”, madje edhe qau “pa turp” para mesazhit të së bijës dhe fëmijëve. Pika e tij e dobët, ajo për të cilën ai rrëzohet edhe kur është në majat më të larta të nervozizmit skenik, është pikërisht familja: Kristi, Mimoza, por sidomos Gala, e bija.

Historia e dashurisë me Mozën, për Robertin ka nisur që në klasë të parë. Ai ka rrëfyer se atë që do të ishte njeriu i zgjedhur i jetës e ka ndjekur për plot 10 vite, derisa fatet e tyre sërish u bashkuan dhe u lidhën përgjithmonë.
Por vetë Moza paska një histori tjetër nga ajo e artistit të njohur. E ftuar sot në “Rudina” për të folur për librin e saj të ri të përkthyer, romani “Babeli”, i autorit holandez Jan De Leeuw, Mimoza Dino ka rrëfyer më shumë edhe për jetën private, atë mes sfidave me Robert Aliajn.

Pas shfaqjes së insertit që i kujtoi Mozës atë që Berti deklaroi nga studio e Rudinës pak kohë më parë, sipas saj, historia e dashurisë ka një variant të ndryshuar: “Roberti thotë se është dashuruar më mua që 7 vjeç dhe se shihte tek unë modelin e femrës. Këto gjëra m’i ka shprehur edhe mua, por ndoshta unë isha shumë naive për të kuptuar”, – thotë Moza.

Siç shton ajo, Roberti e kishte ndjekur pas për plot 10 vjet, por ajo nuk e kishte kuptuar këtë, madje, me naivitetin e saj, as ishte në dijeni të “gjuetisë” së tij, derisa u ritakuan: “Ai është vërtitur pothuajse 10 vjet rresh prapa meje, por nuk guxoi t’i shprehte ndjenjat e tij”, – shton ajo duke kujtuar se kur nisi njohja e dy të rinjve, Robertit, madje, kishin nisur t’i binin flokët.

Njohja nuk ishte pjesa më e vështirë sesa pranimi nga familja e Mozës. Prindërit e saj e kishin vënë re idenë opozitare të Bertit dhe kjo ishte një pengesë e madhe, megjithatë të rinjtë i morën parasysh sfidat dhe i kaluan me sukses. E ëma, kujton Moza, një natyrë më e hapur, i tha se me Bertin nuk do ta kishte jetën të lehtë: “Ime më më paralajmëroi se do të kisha para sfida, por më tha se “më duket ky është diçka e veçantë.”

Që rezultoi të ishte e tillë. Sot, Berti dhe Moza kanë plot 27 vjet martesë dhe 33 vjet dashuri. Ai vazhdon të jetë njëlloj si në ditën e parë. Adhuron bashkëshorten e tij, adhuron familjen e tij, i përulet dhe i përkushtohet deri në pikën e fundit.
Po, për Robert Aliajn po flisnim.