Enver Sekiraqës i vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

E publikuar: 20/03/2018 16:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit edhe për dy muaj ndaj Enver Sekiraqës, i cili akuzohet për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, në gusht të vitit 2007.

Sekiraqa, nën këtë masë do të qëndrojë deri më 10 maj të këtij viti.

Vazhdimin e kësaj mase e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shasivar Hoti.

“Masa e paraburgimit i është vazhduar nga 10 marsi, deri më 10 maj të këtij viti”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, sipas gjykatësit Hoti, ende nuk është caktuar seanca e rigjykimit në këtë rast.

Për përfshirje në vrasjen e policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim, por më pas Gjykata e Apelit rastin e ka kthyer në rigjykim.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri./insajderi/