Profesori i arkitekturës, Xhelal Llonçari, ka deklaruar se debati lidhur me krijimin e sheshit “Adem Jashari” në hapësirën e “Sheshit të Çlirimit” është i parëndësishëm.
Ai ka thënë për Express Intervistën se pavarësisht zhurmës së krijuar, nga kjo hapësirë nuk duhet të hiqet “Trekëndëshi”. Sipas tij, figura e komandantit të UÇK-së e meriton një shesh të ri e të veçantë.
“Nuk ka vend të rrënohet një monument i tillë, jo se ne duhet të ruajmë atë frymë, por se Prishtina nëse pretendon të jetë qytet duhet të ruajë çdo kujtim historik. Duhet ruajtur këto shtresime historike, ato nuk ruhen me libra, por më së miri me monumente. Arkitektura flet më së miri për historinë. Nga Xhamia e Madhe deri te Grandi kemi 500 vjet histori. Ajo duhet të trajtohet në këtë mënyrë”, ka thënë ai. “Adem Jashari ka flijuar jetën e vet edhe 52 anëtarë të tjerë të familjes e ne nuk jemi në gjendje të krijojmë një shesh enkas për të. Por jo ta heqim një shesh për të thënë ‘ja ku e ka tash sheshin Jashari’. ‘Vëllaznim-Bashkimi’ duhet të mbetet ashtu siç është. Të bëhet funksional. Nëse duhet Adem Jasharit t’ia ndërtojmë një shesh, ai meriton një shesh më të mirë, më të madh e që ndërtohet me shumë sakrifica”.
Llonçari ka thënë se te “Trekëndëshi” duhet të ketë ridimensionim, e të bëhet ndërrim i pllakave.