Me ligjin e ri më pak aksidente në komunikacion

E publikuar: 18/03/2018 14:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

300 aksidente më pak për shkak të ligjit të ri

Gjobat e larta të përcaktuara nga ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor si duket i kanë dhënë rezultatet e para për rënien e aksidenteve në Kosovë, ndonëse shqetësuese ende mbetet inkasimi i gjobave të shqiptuara.

Ekspertët e sigurisë në trafik gjobat e larta i shohin si zgjidhje e përkohshme, ndërsa edukimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve për rrezikun në trafik e shohin si zgjidhja më e mirë për të rritur sigurinë në komunikacion.

Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Samedin Mehmeti për Kp ka deklaruar se masat e reja të përcaktuara nga ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor kanë shënuar progres në rënien e aksidenteve.

Statistikat e Policisë së Kosovës tregojnë se 300 aksidente më pak janë shënuar në dy muajt e parë të vitit 2018, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Sipas Mehmetit, Policia e Kosovës për periudhën janar-shkurt 2018, i ka shqiptuar gjithsej 53 mijë gjoba, ku rreth 38 për qind e tyre janë shqiptuar për tejkalim të shpejtësisë.

Për njohësin e çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqin, rritja e gjobave është zgjidhje momentale dhe jo e përhershme. Kurse, edukimin e gjeneratave për rrezikun në komunikacion e sheh si garantues të qëndrueshëm të sigurisë në rrugë.

Sipas Muhamed Krasniqit zgjidhjet duhet të gjendet edhe për inkasimin e gjobave të shqiptuara nga Policia e Kosovës. Ndryshe nga 1 janari i këtij viti në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, me të cilin janë rritur gjobat për të gjithë ata që shkelin rregullat në komunikacion.

Disa nga dënimet më të ashpra që i ka përcaktuar ligji i ri për rregullat e trafikut rrugor janë:

1. Vozitja e veturës pa patentë shofer dënohet me gjobë nga 500 deri në 1500 euro, si dhe shënon tri pikë negative nga gjithsej 12 sa ka patentë shoferi.

2. Shoferi që vozitë nën ndikim e alkoolit mund të dënohet me gjobë deri në 900 euro, dhe po ashtu atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje deri 2 vite, duke iu shënuar edhe tri pikë negative në patentë shofer.

3. Tejkalimi i shpejtësisë 50 km/h në qoftë se me shenja të trafikut nuk është e përcaktuar ndryshe, dënimi është me gjobë prej treqind (300) deri në nëntëqind (900) euro, përveç gjobës, atij i shqiptohet masa mbrojtëse ndalim i të drejtuarit të mjetit me veprim motorik në kohëzgjatje prej së paku një (1) viti, si dhe i shqiptohen pesë (5) pikë negative.

4. Gabimet në tejkalim apo tejkalimet nga ana e djathë dënohet nga 100 deri në 300 euro, shoferit mund t’i shqiptohet masa e ndalimit të drejtimit të mjetit me veprim motorik me kohëzgjatje deri në 6 muaj, dhe shënimi e një pike negative.

5. Nisja me vrull apo gara dënohen me gjobë deri në 300 euro, dhe mund t’i shqiptohet edhe një pikë negative.

6. 150 euro është gjoba për të gjithë shoferët që kalojnë kur është e ndezur drita e kuqe e semaforit, po ashtu atyre shoferëve iu shënohen tri pikë negative, ndërsa pa patentë shofer mbetet për 3 muaj.

7. Vozitja në rrugën njëkahore dënohet nga 70 deri në 210 euro, dhe një pikë negative në patentë shofer.

8. Këmbësorët që përdorin telefona dhe dëgjuese në vesh gjatë kalimit të rrugëve dhe dënimi për këtë shkelje është 20 euro.

Ndryshe në bazë të statistikave të Policisë së Kosovës vetëm në periudhën janar-nëntor 2017 janë shënuar gjithsej 16.122 aksidente prej tyre 107 aksidente kanë qenë me fatalitet, ndërsa janë shqiptuar gjithsej 371 mijë e 976 gjoba./Rtv21/