Bashkimi i ‘Zorshëm’ dhe Ndarja e ‘Lehtë’ e VV-së

E publikuar: 15/03/2018 02:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kthimi i Donika Kadaj-Bujupit në AAK e kërkesa e deputetëve të dorëhequr të Vetëvendosjes për krijimin e një grupi parlamentar ka zyrtarizuar ndarjen e plotë të Lëvizjes Vetëvendosje.

12 deputetë të Vetëvendosjes sot i kanë dërguar sekretarit të Kuvendit kërkesën për të themeluar grupin e tyre parlamentar.

Ndërsa deputetja tjetër, Donika Kadaj Bujupi, nuk u rreshtua as në krahun e Albin Kurtit e as në krahun e të pakënaqurve. Ajo u kthye në partinë e Ramush Haradinajt.

Vetëvendosje deri më tani gjithmonë ka pasur rritje. Në të gjitha garat politike ka fituar më shumë se në ato parapraket.

Në zgjedhjet e para kur Vetëvendosje hyri në politikë kishte fituar 13 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Në zgjedhjet e 2014, Vetëvendosje u rrit për 3 deputetë.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit (2017) ajo kishte marrë dyfishin, 32 deputetë.

E sot, pas kërkesës për grup të ri parlamentar dhe kalimin e Donika Kadaj-Bujupit në AAK, Vetëvendosje ka mbetur me 19 deputetë.

Në zgjedhjet lokale të 2013, Vetëvendosje kishte marrë vetëm një komunë, por më të madhen. Vetëvendosje ia kishte marrë pushtetin 14 vjeçar LDK-së në Kryeqytet, ndërsa në qytetet e tjera kishte dështuar.

Në zgjedhjet e 2017, Vetëvendosjes kishte shkuar në balotazh në 6 komuna, ku në fund kishte fituar 3 prej tyre: Prishtinë, Prizren dhe Kamenicë.

Mirëpo pas dorëheqjeve nga VV të kryetarëve të Kamenicës dhe Prishtinës, Vetëvendosje drejton vetëm një komunë – Prizrenin.