Demaliaj: Sa për LDK-në e VV-në, qeveria Haradinaj nuk rrëzohet edhe dhjetë vjet

E publikuar: 15/03/2018 00:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shkumbin Demaliaj, deputet i AAK-së, ka thënë se dy partitë opozitare LDK-ja dhe Vetëvendosja nuk janë të gatshme për zgjedhje.

Sipas tij, nëse do të varej nga këto dy parti, qeveria Haradinaj nuk do të rrëzohet edhe dhjetë vjet.

“Sa për LDK-në e VV-në edhe dhjetë vjet nuk rrëzohet qeveria. Për sa janë të gatshme për të hy në zgjedhje, këto parti nuk janë të gatshme fare. LDK-ja nuk është fare e gatshme për zgjedhje”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se LDK-ja nuk do të jetë më partia më e madhe në Kuvend, siç është aktualisht.

Demaliaj ka thënë se të gjitha partitë përpos Vetëvendosjes janë parti institucionaliste. Për VV-në ka thënë se kjo parti nuk i njeh simbolet e shtetit dhe nuk mund të jetë parti institucionaliste.

Demaliaj thotë se AAK-ja s’ka votë kundër për demarkacionin

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, thotë se askush nga grupi parlamentar i AAK-së nuk do të votojë kundër marrëveshjes së demarkacionit.

Këtu ka përfshirë edhe deputeten Donika Kadaj-Bujupi që sot u kthye në këtë parti nga Vetëvendosje.

“Nuk tejkalon asnjë test që do të ketë kundërshtime nga të gjithë ata që janë të rreshtuar në AAK”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se Kadaj-Bujupi nuk ka pasur asnjë kushtëzim për kthim dhe për votën për demarkacionin.

Demaliaj ka thënë po ashtu se AAK-ja ka qenë në bisedime qysh më herët për kthimin e Kadaj-Bujupit në parti. Demaliaj është shprehur i bindur se kjo çështje do të kalojë në Kuvend këtë javë pasi koalicioni “ka votat e mjaftueshme”.

Demaliaj po ashtu ka kritikuar opozitën për qëndrimet kundërshtuese ndaj qeverisë duke thënë se “kjo nuk është opozitarizëm”.

Ai ka thënë se opozita është shkaktare përse nuk u shfuqizua Gjykata Speciale. Ka thënë se Vetëvendosje, që vazhdimisht është shprehur kundër Speciales, “iku kur erdhi koha për shfuqizim”.

Demaliaj ka kritikuar edhe kryeministrin Ramush Haradinaj për “transparencën e tepërt ndaj opozitës”.