Pas fjalës përfundimtare rihapet shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit se përvetësoi mbi 71 mijë euro

E publikuar: 14/03/2018 17:35
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Është rihapur shqyrtimi gjyqësor ndaj zyrtarit të Postës së Kosovës, Enver Ajeti, i cili akuzohet për përvetësimin e mbi 71 mijë eurosh.
Një gjë e tillë është vendosur, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pasi që është dhënë fjala përfundimtare nga prokurori Feti Tunizliu, i akuzuari dhe mbrojtësit i tij, avokati Hamdi Podvorica, shkruan Lajmi.net.

Një vendim të tillë, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Vehbi Kashtanjeva, e ka marr pasi ka vlerësuar se nuk është caktuar qartë nëse dëmi që i është shkaktuar Postës së Kosovës, është shuma prej 71.744 eurosh.

Prokuroria e ngarkon Ajetin, me veprën penale të “përvetësimit në detyrë”, pasi pretendon ai si person zyrtar i Postës së Kosovës, nuk i ka dorëzuar në bankë pazaret ditore duke përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro.

Para fjalës përfundimtare të palëve, mbrojtësi i Ajetit, avokati Hamdi Podvorica prezantoi disa transaksione me të cilat mbrojtja pretendonte se me të njëjtat vërtetohet se në llogarinë e postës janë depozituar 36.371.22 euro, që e bënë një dëm më të ulët, e jo siç pretendohet me aktakuzë 71.744.85 euro.

“Gjykatës ia dorëzoi specifikacionet mbi pagesën e shumës 3.324.00 euro, të datës 01.05.2013. specifikacioni për depozitën e parasë prej 8.188.00, të datës 29.04.2013, specifikacioni për depozitimin e parasë në shumë prej 1,708,03, të datës 28.04.2013, specifikacioni i depozitimit të parasë, të datës 26.04.2013, në shumë prej 6.692.52, specifikacioni për depozitimin e parasë, datë 29.04.2013, në shumë pre 8.188.00, në shumën e përgjithshme prej 36,371.22 euro. Këto mjete sipas specifikacionit rezulton se i ka paguar arkëtari Faik Mahmuti. Sipas kësaj duhet të zbritet shuma e prezantuar në aktakuzë se për periudhën përkatëse është paraqitur mungesa prej 71.744,85 euro”, ishte propozimi i Podvoricës.

Prokurori Tunizliu, deklaroi se provat e paraqitura nga mbrojtja nuk janë të reja, sepse sipas tij, të njëjtat kanë qenë më parë në shkresat e lëndës.

“Derisa mbrojtja e dha propozimin për plotësimin e provave, unë e bëra një krahasim në mes këtyre provave dhe shkresave të lëndës dhe e gjeta se të gjitha këto prova i ka pas parasysh grupi i ekspertëve financiar, me rastin e dhënies së ekspertizës financiare, kështu të gjitha këto specifikacione të përmendura në shkresat e lëndë dhe konsideroi se nuk janë prova të reja dhe i propozoi trupit gjykues që të refuzohet propozimi i mbrojtësit për administrimin e këtyre provave”, tha prokurori.

Në fjalën e tij përfundimtare, prokurori Feti Tunizliu theksoi se me provat e administruara në shqyrtim gjyqësor, kanë vërtetuar plotësisht aktakuzën e prokurorisë për veprën penale të përvetësimit në detyrë, duke i propozuar gjykatës që të shpall aktgjykim dënues ndaj Ajetit.

Përfaqësuesi i Postës së Kosovës, Faton Ejupi, në fjalën e tij përfundimtare, tha se e mbështet aktakuzën e Prokurorisë dhe po ashtu parashtroi kërkesë pasurore juridike që Ajeti t’ia kompensoi Postës shumën prej 71.744.85 euro, për të cilën Prokuroria pretendon se i ka përvetësuar i akuzuari.

Mbrojtësi i Ajetit, avokati Hamdi Podvorica, tha se gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është arritur të vërtetohet që i akuzuari ka kryer veprën për të cilën është akuzuar, duke pretenduar se prokurori nuk ka arritur të vërtetoi nëse dëmi që prokuroria pretendon se i është shkaktuar Postës, është paguar në një fazë të mëvonshme.

“Me relevancë mund të them se gjendja faktike në këtë çështje ka mbet plotësisht e pavërtetuar. Rezultati i të gjitha provave është plotësisht i paqartë, asnjë provë nuk përputhet me provën tjetër. Prokurori nuk e ka përfshi të pandehurin e vërtet, i pandehuri i vërtetë ka mbet jashtë aktakuze. Jahir Gashi si përgjegjës i Postës ka pas për detyrë për të parë kur paret dalin në llogari të bankës, pse nuk intervenoi në ditën e parë sepse ka qenë menaxher në atë kohë”, tha Podvorica.

I akuzuari, në fjalën e tij përfundimtare të tij, deklaroi se ai nuk e konsideron fare përgjegjës veten dhe se akuza ndaj tij, ishte bërë me qëllim që të largohet nga vendi i punës.

“Unë e konsideroj veten se nuk kam asnjë faj në këtë çështje, këtë e kanë bërë zyrtarët e Postës së Kosovës, vetëm që të më largojnë mua si të vjetër dhe të punësojnë dy militant mënjeher në vendin tim”, tha Ajeti.

Por, pas fjalëve përfundimtare, trupi gjykues ka vendosur që të rihapet shqyrtimi gjyqësor në këtë rast.

“Shqyrtimi kthehet edhe njëherë në fazën e provave me qëllim që edhe njëherë të ftohet drejtori i Postës në Podujevë, Jahir Gashi, për tu deklaruar lidhur me atë se shumat e mjeteve prej 36.371,08 euro, të paraqitura në specifikacionet a janë mjete që janë realizuara gjatë qarkullimit ditore të periudhës kohore të paraqitur në aktakuzë prej 26 prill 2013 e deri më 2 maj 2013 si dhe si janë siguruar këto mjete, pasi të njëjtat janë paguar pas datës 02 maj 2013 dhe duhet të prezantoi edhe eksperti financiar Riza Blakaj”, ishte vendimi i trupit gjykues, pas fjalës përfundimtare të palëve.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet për datën 11 maj në ora 9:00, në të cilën gjykata tashmë sipas detyrës zyrtare ka ftuar si dëshmitar Drejtorin e Postës së Kosovës të degës në Podujevë si dhe eksperti financiar Riza Blakaj.

Ky proces gjyqësor, zhvillohet sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila e akuzon Enver Ajetin se në cilësinë e kontrollorit të degës së Postës së Kosovës në Podujevë, nuk i kishte dorëzuar në bankë për një periudhë kohore pazaret ditore, punë që duhej ta kryente duke qenë se ishte i ngarkuar me menaxhimin e të hyrave apo mjeteve financiare.

Sipas aktakuzës, pretendohet se Ajeti në bankë nuk i ka dorëzuar pazaret ditore, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe me këtë rast nga arka ka përvetësuar shumën prej 71 mijë e 744 euro, të cilën mungesë e ka zbuluar komisioni i kontrollës operative regjionale të Postës së Kosovës si dhe Koordinatorja e Financave të Postës së Kosovës.