Haradinaj: Krijimi i ushtrisë vetëm sa kontribuon në sigurinë në rajon

E publikuar: 13/03/2018 15:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova ruan një miqësi të mirë me popullin slloven dhe kjo miqësi duhet të vazhdoj. Ky është mesazhi i Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas pritjes që i bëri zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Sllovenisë, Karl Erjavec.

Kryeministri tha se “ekziston një klimë e mirë mes Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në shumë fusha. Sllovenia është një ndër investitorët më të mëdhenj në vend dhe Kosova është e interesuar që ta vazhdojë këtë partneritet ekonomik, duke e përmirësuar çdo herë e më shumë balancin e eksportit dhe importit me këtë vend”.

Haradinaj kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Sllovenisë në planin ndërkombëtar. “Përkrahja juaj për njohjet e reja, anëtarësimin në INTERPOL, UNESCO, në procesin e integrimit euroatlantik ka domethënie të madhe për ne. Ne jemi një vend euroatlantik – ky është destinacioni ynë”, tha kryeministri Haradinaj, i cili ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Kosovës për të respektuar secilin etnitet në vend.

“Krijimi i ushtrisë së Kosovës me mandat kushtetues nuk e ndryshon balancin e sigurisë në rajon, për më tepër kontribuon në të”, tha Haradinaj.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec, vlerësoi arritjet dhe progresin e madh që është bërë në Kosovë në këto 10 vjet të shtetësisë, duke shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit të tij për bashkëpunimin bilateral në fushën e ekonomisë dhe përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj integruese, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe në udhëheqjen e iniciativave rajonale.

Pjesë e takimit ishin edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi dhe ambasadori slloven në Kosovë, Bojan Bertoncelj./koha.net/