Në ditën e 20 shkurtit ish-kryetari i trupit gjykues nga EULEX-it, Petko Petkov, në rastin e njohur si “Toka” kundër Azem Sylës dhe të tjerëve, kishte paralajmëruar se ky rast do të kalojë në duart e vendorëve.
Kjo e kishte shqetësuar tej mase prokurorin e këtij rasti (EULEX), Danilo Cecarreli.
“Transferimi i këtij rasti tek vendorët domethënë që është përfundim i rastit dhe të gjithë e dimë se pse”, kishte thënë prokurori Cecarelli.
Madje transferimin e tij rasti te vendorët ai e kishte quajtur edhe si turp për EULEX-in.
“Ky është turp për EULEX-in, paaftësi për të dhënë drejtësi, ky është dështimi më i madh i EULEX-it e jo ato skandale të pretenduara që kurrë nuk kanë ndodhur. Si mundemi ne si prokurorë e gjyqtarë ta lejojmë paraburgimin për të pandehurit për dy vite gati dhe papritmas vendosim të dorëzohemi”, kishte shtuar Cecarelli.
Ai ka thënë se një vendim i tillë, është i padrejtë.
“Nuk jam i kënaqur me këtë vendim, dhe ky është vendim i padrejtë, këtë vendim nuk mund ta merr askush tjetër përveç kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it. Kalimi te vendoret është përfundim i këtij rasti dhe ne e dimë se pse”, ka shtuar ai.
Ai kishte thënë se misioni EULEX ka kohë të mjaftueshme që ta përfundojë këtë rast dhe të mos e dorëzojë te vendorët.
“Ka pasur kohë të mjaftueshme që misioni ta përfundojë këtë rast, sepse kanë qenë të caktuara mbi 50 seanca. Ky vendim nuk është vendim as i prokurorisë e as i gjyqtarëve, nuk do ta dimë kurrë kush e ka marrë këtë vendim, nuk ka përgjegjësi dhe llogaridhënie”, ka deklaruar tutje prokurori Cecarelli.
Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.
Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.
Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.
Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.
Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.
Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive./Insajderi.com
















