Fondi është ndarë, mirëpo AUV-i ende s’ka nisur trajtimin e qenve endacakë

E publikuar: 10/03/2018 20:52
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vjeshtën e vitit të kaluar, pas disa sulmesh të qenve endacakë ndaj qytetarëve, Komuna e Prishtinës kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme.

Pos saj, edhe komunat e tjera janë përballur me rrezikun e qenve që bredhin rrugëve, raporton KTV.

Në mungesë të buxhetit, ato kanë qenë të pafuqishme të zgjidhin këtë problem. Në emër të tyre, Asociacioni i Komunave të Kosovës, kishte kërkuar nga Qeveria që të ndajë 1.3 milion euro për trajtimin e tyre.

Ka 3 muaj që kjo kërkesë është aprovuar, ndërsa fondet bashkë me përgjegjësinë për zgjidhjen e problemit i janë bartur Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë.

Por, në AUV ende nuk nisur trajtimin e qenve endacakë, përkundër faktit se fondi i ndarë është emergjent.

Faza emergjente, sipas zëdhënësit të AUV-it, Lamir Thaçi, nuk do të përfshijë ndërtimin e strehimoreve, por vetëm trajtimin.

Fondi emergjent, sipas tij, është ndarë vetëm për këtë vit. E nga 2019-a, me problemin e qenve endacakë do të duhet të merren përsëri komunat./koha.net/