Limaj shpallet i pafajshëm për krime lufte

E publikuar: 09/03/2018 10:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Fatmir Limaj është liruar nga akuza për përgjegjësi komanduese në rastin e njohur si “Bellanica” për vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi.

Limaj akuzohej nga prokuroria se si komandant i Brigadës 121 të UÇK-së, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar, apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit.

Trupi gjykues në vërtetimin e vendimit të vet ka thënë se në rastin konkret, nuk është vërtetuar se kush ishin personat që kishin privuar nga jeta të ndjerët Ramiz Hoxha dhe Sleman Binishi, pasi të njëjtit kanë qenë të maskuar.

Sipas trupit gjykues, fakti që ata kanë qenë të paidentifikuar dhe të panjohur. Gjë që e ka theksuar edhe vetë prokuroria, ka bërë që mos të vërtetohet nëse këta persona të maskuar fillimisht ishin apo jo pjesëtarë të UÇK-së, e nëse ishin pjesëtarë të UÇK-së cilës Brigadë i takonin dhe nën komandën e kujt ishin ata.

“Andaj Gjykata me asnjë provë nuk mundet të vërtetojë se i akuzuari ka pasur raport epror vartës me këta persona të maskuar, nuk ka arritur të vërtetojë që i akuzuari ka qenë në dijeni se persona të maskuar ishin duke përgatitur aktin kriminal si dhe duke qenë se ata ishin të paidentifikuar nuk ka arritur të vërtetohet se ka pasur kontakt me ata persona dhe t’i paraqesë për ndëshkim”, ka thënë gjykatësi në bazën me të cilën është liruar Limaj.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 15 ditësh.