Qindra mjekë në Quebec të Kanadasë po protestojnë kundër rritjes së pagës së tyre, duke thënë se ata tashmë po bëjnë shumë para – një veprim që mund të konsiderohet si shumë i rrallë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bëhet fjalë për disa mjekë të përgjithshëm dhe specialistë mjekësorë të cilët kanë nënshkruar një peticion duke thënë se nuk duan ngritjet që morën pas negociatave me qeverinë lokale muajin e kaluar.
Në vend të kësaj, ata thonë se paratë duhet të rishpërndahen – për të financuar më shumë infermierë dhe profesione të tjera të kujdesit shëndetësor.
“Këto rritje janë më tronditëse, sepse infermierët tanë, nëpunësit dhe profesionistët tjerë përballen me kushte shumë të vështira pune, ndërsa pacientët tanë jetojnë me mungesën e qasjes në shërbimet e kërkuara për shkak të shkurtimeve drastike në vitet e fundit”, thuhet në peticion nga grupi Médecins Québécois pour la Régime Public (ose MQRP).
“E vetmja gjë që duket të jetë imune ndaj shkurtimeve janë [pagat] tona”.
Deri më tani, më shumë se 700 mjekë, mjekë të përgjithshëm, specialistë, rezidentë dhe studentë të mjekësisë kanë nënshkruar peticionin, i cili është iniciuar që nga 25 shkurti. /Telegrafi/