Kryetari Serb kërkon ndihmë nga kryetari Rumun për Kosovën

E publikuar: 08/03/2018 15:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar sot se ka kërkuar ndihmë nga kryetari rumun Klaus Werner Iohannis rreth gjetjes së “një kompromisi” me Kosovën.

Vuçiq në konferencën e përbashkët për gazetarë ka thënë se e ka njoftuar kolegun rumun, për të cilin ka thënë se ka autoritet të madh në Evropë, SHBA dhe në botë, me bisedimet për këtë çështje me kancelaren gjermane Angela Merkel si dhe me zyrtarët e BE.

Siç ka thënë, Rumunia është vendi më i madh në rajon, dhe duke marrë parasysh se është një nga pesë vende anëtare të BE të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, pikërisht për këtë fakt e ka lutur që ta ndihmojë që ai të arrij kompromis me Kosovën.

Kryetari i Serbisë ka theksuar se Iohannis ka respekt të madh në botë dhe për këtë e ka lutur për përkrahje personale në përpjekjet e Serbisë në gjetjen e zgjidhjes së kompromisit.

Ai e ka përsëritur qëndrimin e Serbisë se “nuk mund të ndodhë që dikush t’i fitojë të gjitha dhe tjetri t’i humbë të gjitha, porse edhe njëra edhe tjetra palë duhet të jenë të pakënaqura” dhe se kjo, sipas tij, do të ishte zgjidhja më e mirë./Insajderi.com.