Epopeja e 20-të e UÇK-së i gjen Kullat e Jasharajve keq. Këtë vit vendosen kamerat dhe çatia

E publikuar: 06/03/2018 17:06
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kullat e familjes Jashari, të cilat gjatë luftës në Kosovë u bën simbol i rezistencës së armatosur të Kosovës kundër Serbisë, pas luftës ende nuk kanë gjetur trajtimin e duhur institucional.
Shënimi i 20 vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirmitare të Kosovës, e ka gjetur Kompleksin Memorial të Jasharajve ende të parenovuara dhe të pakonservuara, transmeton lajmi.net.

E siç duket, buxheti që posedon Agjencioni për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale nuk po del të jetë i mjaftueshëm.

Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, ka thënë për lajmi.net se shuma e mjeteve të ndara nga Qeveria e Kosovës për një periudhë tre vjeçare për këto kulla është 4 milionë e 190 mijë euro, ku 1 milionë prej tyre janë të destinuara për vitin 2018.

“Qeveria ka ndarë mjete në vlerë prej 4 milionë e 190 mijë euro për kullat e Jasharajve në Prekaz, këto mjete janë paraparë të ndahen për tre vite, në 2018 janë paraparë të ndahen 1 milion euro, në 2019- tën janë paraparë të ndahen 2 milion euro, ndërsa në 2020-tën 1 milion 190 mijë euro, krejt kjo është mbi katër milionë, kërkesa e Agjencisë për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale ka qenë për me u nda 6 milionë euro për financim, mirëpo këto 4 milionë janë ndarë nga buxheti i Kosovës për këtë çështje, pas lajmit që kullat janë në gjendje të keqe, qeveria në mbledhjen e saj është zotuar që do të bëhet gjithcka që kjo mos të ndodhë, pavarësisht çdo kërkese që paraqitet kjo mund të mbështetet nga Ministria e Financave”, thotë Gashi.

Gashi thotë se Agjencioni për Mbrojtjen e Komplekseve Memoriale duhet bërë një kërkesë për ndarjen e mjeteve shtesë, mirëpo deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Ajo shtoi se më 2015-tën kur është hartuar projekti për konservimin e kullave, punimet nuk kanë filluar pas kërkesës së familjes Jashari në ndryshimin e ligjit për këtë kompleks.

“Në këto raste Agjencioni për Menaxhimin e Komplekseve duhet të ketë kërkesë të drejtuar në Ministri të Financave për me nda mjete shtesë, këto mjete parashihen për konservimin e kullave, këtë vit është paraparë që të intervenohet në riparimin e trajve të dëmtuar të çatisë së mbulojës dhe vendosja e kamerave e shenjave orientuese, pasi është hartu projekti në vitin 2015 nuk është intervenuar pasi që është ardhë kërkesa nga familja Jashari për ndryshimin e ligjit për këtë kompleks, pra është ndaluar intervenimi deri sa të bëhet ligji i ri që parasheh forma të reja të tenderimit, si formimi i Komisionit të Nivelit të Lartë Ndërinstitucional, deri tash janë ndarë 9 milionë euro për këtë Memorial, ndërkaq për planifikimet për tri vitet e ardhshme janë ndarë 4 milionë euro, çdo kërkesë që ka të bëjë me shtëpinë e rezistencës në Prekaz, do të përkrahet, ky është premtimi i qeverisë, Kryeministrit Haradinaj dhe Ministrit Bedri Hamza”, tha Gashi. /Lajmi.net/