Ende s’ka draft të ri për Asociacionin

E publikuar: 06/03/2018 09:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ende nuk ka filluar ta hartojë draftin e ri për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe
Shefi i delegacionit kosovar për bisedimet me Serbinë, Avni Arifi, ka thënë se do të bëhet një draft i ri për Asociacionin, megjithëse, siç ka pohuar ai, ende nuk është bërë kërkesa për draftim.

“Kosova nuk ka hartuar draft për Asociacionin. E kam parë këtë informacion në disa mediume se kemi bërë një draft, por një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur. Nuk po them se nuk do ta hartojmë”, ka thënë ai për “Zërin”, duke shtuar se nuk dihet saktë se kur do të themelohet Asociacioni.

Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Maja Koçijançiq, vitin e kaluar kishte thënë se Bashkimi Evropian pret që Asociacioni i Komunave Serbe të formohet sa më shpejt.

“BE-ja pret që në kuadër të marrëdhënieve të dialogut në mes të dyja palëve të formohet sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë ajo.

Në anën tjetër, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe po shihet të jetë i pashmangshëm nga analistët politikë./Express/