Behar Millaku, udhëheqësi i hetimit të Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar është deklaruar i pafajshëm nga akuzat se kërkoi dhe pranoi para nga një kompani e lojërave të fatit që po hetohej.
Millaku në këtë proces gjyqësor po akuzohet së bashku me Ilir Sadriajn e Shefqet Zogajn.
Kur prokurorja Dulina Hamiti lexoi aktakuzën, Behar Millaku tha se ndihet plotësisht i pafajshëm, ndërsa Shefqet Zogaj u deklarua absolutishti pafajshëm.
I akuzuari tjetër Ilir Sadriaj deshi të deklarohej pjesërisht fajtor për ushtrim ndikimi.
“Pjesërisht ndihem i fajshëm”, tha Ilir Sadriaj, por kryetarja e trupit gjykues Naime Jashanica i kërkoi avokates së tij t’ia shpjegojë të akuzuarit se nuk lejohet me ligj pranimi i pjesshëm i fajësisë.
Pas konsultimit me avokaten e tij, Kosovare Kelmendi, edhe Ilir Sadriaj u deklarua i pafajshëm.
Avokati Haxhi Millaku e cilësoi të montuar procesin gjyqësor kundër Behar Millakut.
“Me tendencë të personave të caktuar të interesit, individë të caktuar të cilët mbajnë uniformë, jo për të punuar sipas ligjit”, tha avokati Millaku.
Ai tregoi se do të ftohen edhe deputetë si dëshmitarë.
“Kemi shumë dëshmitarë që janë persona zyrtarë që do të dëgjohen në këtë çështje, si dhe vetë prokurorja që ka ushtruar këtë aktakuzë. Mundësia e ftuerjes që janë deputetë e që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pronarin Skender Fetaj. Aty do të dalë sa është dëmtuar shteti i Kosovës”, shtoi Haxhi Millaku.
Në fund të seancës, avokati i Behar Millakut, Haxhi Millaku, kërkoi nga kryetarja e trupit gjykues që kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë të vendosë për kompetencën territoriale dhe lëndore.
Avokati Millaku pretendoi në gjykatore se një kompetencë e tillë i përket Gjykatës Themelore në Pejë.
“Rrugëtimi procedural që nga veprimet parapenale deri te kallëzimi penal, aktvendimi për fillimin e hetimeve që fillimisht është ushtruar në Prokurorinë Themelore në Pejë”, theksoi Millaku.
Lidhur me kompetencën territoriale, prokurorja Dulina Hamiti tha se kanë vepruar konform kompetencës.
“Fillimisht aktvendimi për zhvillimin e hetimeve e ka bërë Prokuroria Themelore në Prishtinë, pastaj lënda është përcjellë në kompetencë në Prokurori Themelore në Pejë, më pas lënda me aktvendimin e Prokurorisë së Apelit kompetenca i është caktuar Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, tha prokurorja Hamiti.
Gjykatësja Jashanica tha se për këtë çështje kryetares së Gjykatës do t’i dërgohet lënda ku edhe do të vendoset për kompetencë territoriale, e më pas palët do të njoftohen në formë të shkruar.
Ndërsa për Shefqet Zogajn, do të caktohet një avokat sipas detyrës zyrtare, pasi që një gjë të tillë e kërkoi vetë i akuzuari me arsyetimin se nuk ka të ardhura për të mbuluar shpenzimet e avokatit.
KALLXO.com kishte shkruar se si prokuroria pretendonte se të akuzuarit kishin kërkuar mitë nga Skender Fetaj, i dëmtuari i këtij procesi dhe pronari i kompanisë “EGTK II” Sh. P. K.
Prokuroria pretendon se një pjesë e parave do përfundonin në xhepin e Behar Millakut, zyrtar i Policisë së Kosovës dhe udhëheqësi i hetimit i Drejtorisë Kundër Krimit të Organizuar.
Aktakuza sqaron se Millaku ishte duke drejtuar një hetim ndaj kompanisë së lojërave të fatit.
Më tej, aktakuza thotë se puna e parë që Ilir Sadriaj e Shefqet Zogaj kishin bërë ishte që ta njoftonin pronarin e kompanisë se ata dinin çdo gjë për hetimin dhe se e njihnin për së afërmi policin që po drejtonte hetimet.
Për ta realizuar këtë, Shefqet Zogaj ishte informuar nga i akuzuari Behar Millaku për rrjedhën e hetimeve ndërsa informatat ishin bartur tek Ilir Sadriaj. Aktakuza pretendon se tërë ky aktivitet ishte bërë me qëllim që të dëmtuarit Fetaj t’i merreshin para, të cilat më pas do dërgoheshin edhe te polici Millaku.
Aktakuza shpjegon edhe momentet kur një shumë parash ishte dorëzuar te grupi./Kallxo.com

















